GRUPI A: EKUADORI - SENEGALI
Koulibaly çon Senegalin në të tetën e finales pas 20 vitesh!
29 November, 2022 @18:24
Kapiteni i reprezentacionit të Senegalit, Kalidou Koulibaly, ka shënuar gol 20 minuta para fundit të ndeshjes, për t’ia rikthyer epërsinë vendit të vetë në ndeshjen vendimtare ndaj Ekuadorit për të kaluar nga faza grupore në të tetën e finales së Kupës së Botës.
Kjo është hera e parë që Senegali arrin në fazën e të tetës së finales që prej vitit 2002, kur kishin arritur deri në çerekfinale të Kupës së Botës. Si duket kampionatet në Azi, po i konvenojnë atyre.
Përndryshe, të gjitha golat e ndeshjes erdhën nga lojtarët që po luajnë në ekipet angleze, derisa Ismaila Sarr i Watfordit i dha epërsinë Senegalit, ndërsa Moises Caicedo i Brightonit barazoi për Ekuadorin, para se qendërmbrojtësi i Chelseat t’ia sjellë fitoren afrikanëve, për përfundimtaren Ekuadori 1-2 Senegali [Moises Caicedo 67 - Ismaila Sarr 44pen., Kalidou Koulibaly 70].
Ekuadorit i nevojitej një pikë për të siguruar biletën për të tetën e finales, por ata paguan faturën për paraqitje pasive, derisa Senegali nën ritmin e tifozëve që dëgjoheshin pandërprerë në stadium, tregoi më shumë për të arritur në 16-shen më të mirë të garës.
Ekipi i drejtuar nga Aliou Cisse është kampion aktual i Afrikës, ndërsa atyre është duke i munguar lojtari më i mirë Sadio Mane për shkak të lëndimit. Në të tetën e finales Senegali do të ndeshet me fituesin e Grupit B, që kuptohet sonte.