I KËRKOHET DORËHEQJA
Kreut të Federatës së Francës i kërkohet dorëheqja pas komenteve ndaj Zidane-it
11 January, 2023 @0:23
Në një Federatë profesionale të futbollit, ku Komitetet e caktuara kryejnë detyrën është kështu. Por, vendet e Ballkanit janë larg këtyre gjërave. Shkojmë në Francë dhe shikoni çka ndodh për një koment të pamatur të kryetarit të Federatës ndaj legjendës së futbollit të trekolorëve. Kreu i Federatës së Futbollit të Francës (FFF) Noël Le Graët, pas komenteve të pamatura ndaj legjendës së futbollit francez Zinedine Zidane ka kërkuar falje.
Mirëpo, Komisioni Etik i FFF-së pas mbledhjes së mbajtur ka kërkuar që Le Graët të ofrojë dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të FFF-së. Krejt kjo për shkak të një komenti të Le Graëtit në radion franceze RMC, ku gjatë intervistës kishte thënë se: Zidane-it as që do t’ia hapte telefonin po të konkurronte ai për selektor të Francës.
Komentet e pamatura
Në një deklaratë tjetër pas komenteve për Zidane-in, Le Graët ka thënë se ato komente nuk paraqesin mendimin e tij.
“I kam dhënë intervistë RMC-së, që nuk do të duhej ta bëja. Ata po kërkonin kontradikta duke futur zjarr mes Didier-së dhe Zidane-it. Pranoj se kam komentuar ngathët dhe këto kanë shkaktuar keqkuptime, por ato nuk paraqesin mendimin tim,” ka thënë Le Graët.
Komisioni nxorri përfundim se këto komente të ngathëta të Le Graëtit 81-vjeçar tregojnë që ai është “lodhur”.
“Le Graët ka bërë komente që tregojnë se ai ka nisur të humbë nivelin e qartësisë së tij gjatë bisedave. Ai mund të jetë lodhur, prandaj ai duhet të lëshojë rrugë,” ka qenë deklarata e kreut të Komisionit Etik të FFF-së Patrick Anton për L’Equipe.
Reagimet e të rëndësishmëve
Le Graët ia vazhdoi kontratën Didier Deschampsit deri në Kampionatin Botëror 2026, duke i dhënë hapësirë edhe 4-vjeçare pune. Në anën tjetër Kylian Mbappe, yll i reprezentacionit të Francës, Hugo Lloris, kapiten i përfaqësueses dhe klubi Real Madrid - kanë kritikuar qasjen e kreut të FFF-së dhe komentet e tij dhënë ndaj Zinedine Zidaneit, duke i quajtur komentet e kryetarit: mosrespektuese.
Kujtojmë, Zidane ka qenë yll i Francës në Botërorin e vitit 1998 kur Franca për herë të parë në histori të vetë fiton titullin e Kampionit të Botës, ndërsa Zidane kishte shënuar dy gola në finalen e famshme ndaj Brazilit të Ronaldos! Ai si trajner ka fituar titullin kampion te Real Madridi dhe ka fituar tri herë radhazi Ligën e Kampionëve me klubin madrilen. Me Francën si lojtar Zidane fitoi edhe EURO 2000. Ai mori medaljen e Legjionit të Nderit në Francë, që i ipet heronjëve të kombit - medalja më e lartë e meritave në Republikën e Francës për arritje civile dhe ushtarake.
Ministrja e Sportit të Francës Amelie Oudea-Castera ka kërkuar që kreu i FFF-së të kërkojë falje për këtë koment turpërues.
I pyetur nëse Zidane e ka thirrur atë për të marrë drejtimin e Francës pas Botërorit të Katarit Le Graët kishte thënë për RMC-në: “As që do t’ia hapja telefonin. T’i thoja çka? ‘Urdhëro zotëri. Mos u brengos. Shiko ndonjë klub tjetër. Posa u mora vesh me Didier-në.’ Ai e din çka bën. Nuk është punë e imja kjo. Nuk e kam takuar asnjëherë dhe nuk kam menduar të ndajë rrugët me Didier-në.”
“Ai mund të shkojë te cilido klub. Ai do të mund të përzgjedhte në Evropë, një klub të madh. Por, kombëtarja ka një kredibilitet tjetër sipas meje.”
Franca është ndër kombëtaret më të fuqishme të futbollit në Botë aktualisht. Ata fituan Botërorin në “Rusia 2018”, ndërsa “për pak” humbën finalen e “Katar 2022” nga Argjentina. Me lojtarët që kanë në dispozicion, francezët që prej tash shihen si TOP-3 ekipet që do të mund të konkurrojnë edhe në EURO 2024.
i:
via BBC Sport |