ULPIANA - PRISHTINA

Kryeziu rikthehet te golat, Prishtina fiton ndaj Ulpianës
27 November, 2021 @14:55
Në takimin e luajtur sot në “Sami Kelmendi” të Lipjanit, Prishtina ka shënuar fitore me rezultat 0-3 (Leotrim Kryeziu 34’ 85’, Besnik Krasniqi (P) 57’) ndaj Ulpianës vendase.
Zhbllokimi i ndeshjes ndodhi në minutën e 34’, kur për 0-1 shënoi Leotrim Kryeziu. Kryeziu u shërbye nga Gauthier Mankenda, i cili depërtoi mjaft mirë nga krahu i djathtë e më pas pasoi te Kryeziu, që u tregua i saktë dhe e dërgoi topin në rrjetë. Golin e fundit për Prishtinën këtë sezon Leotrim Kryeziu e kishte shënuar pikërisht ndaj Ulpianës, në ndeshjen e parë të sezonit mes këtyre dy skuadrave.
Golin e sigurisë për kampionin në fuqi të Kosovës e shënoi Besnik Krasniqi në minutën e 57’ nga pika e bardhë. Këtë penallti e fitoi Leonit Abazi, i cili u pengua nga një ndërhyrje e palejueshme në 16-metërshin e Ulpianës.
Pesë minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Leotrim Kryeziu e gjeti edhe një herë rrjetën, e kështu ndeshja përfundoi me rezultatin final 0-3.
Krejt në fund të ndeshjes, Marclei Santos (90+2’) i Ulpianës u ndëshkua me karton të kuq, por kjo nuk luajti rol në epilogun përfundimtar të takimit.
Me një ndeshje më shumë të luajtur, Prishtina momentalisht është 4 pikë larg Gjilanit lider, kurse Ulpiana për momentin renditet e shtata me 17 pikë.
Xhiron që vjen, Prishtina e pret Dritën në “Fadil Vokrri”, e Ulpiana luan në “Sami Kelmendi” ndaj Niklit.