Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PARASHIKIM

La Liga 2020-21, parashikimi

La Liga 2020-21, parashikimi


Shkruan: Luan MORINA

12 September, 2020 @12:43

Në dymbëdhjetë sezonet e fundit, Barcelona ka fituar tetë tituj, Reali i Madridit tre tituj, e Atletico, një titull. Barcelona që nga viti 2008, ose ka qenë kampion ose nënkampion i La Ligës.

Ndoshta, kësaj radhe do të duhej të vinte fundi i kësaj serie!

Me largimin eventual të Lionel Messit, dikush edhe mund ta paramendonte këtë, por as atëherë nuk do të ndodhte. Dhe jo, Messi nuk do të shkojë askund, le të rrinë rehat, sepse si 34 vjeçar i vetmi vend ku do të mund t’ia dalë është Kina ose Liga MLS! Ronald Koeman ka lënë Holandën për Barcelonën, dhe kjo tregon më së miri dëshirën e tij për t’ia dalë. E kjo dëshirë shoqërohet me një trimëri të paparë gjatë dekadës së fundit në stolin e Barcelonës.

a

Vendimi i tij për të larguar Suarezin, dhe barrën e rëndë financiare, s’do të ndalet këtu. Do të vazhdojë edhe gjatë sezonit, dhe mund të presim të shohim lojtarë ‘baballarë’ të ngrohin stolin e ndoshta edhe të largohen para përfundimit të sezonit.

Barcelona ka nevojë për një rilindje, dhe kjo do të vjen me gjeneratën e re, nisur nga sulmi me Trincao, Fati, e Pedri, me Lenglet, Araujo, e Todibo në linjën defensive, dhe Matheus, Puig e De Jong në mesfushë.

Pritet edhe ardhja e Depay, i cili do të ishte një armë shtesë e Koeman në mesin e lojtarëve, ku i nevojitet të ketë përkrahjen më të madhe ndaj gardës së vjetër, e cila vetëm është e dëmtuar me humbjen e titullit dhe poshtërimin nga Bayerni.

Mund të duket si një tunel pa dritë, por kjo vlen vetëm për ata që shikojnë anash e nuk guxojnë të lëvizin fare para nga komforti i pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit! Guximtarët, mund të shohin një rilindje të një dinastie të re, me emra të rinj, nëse i jepet kohë e mjaftueshme.

a

Këtë sezon, nuk duhet të pritet titull nga Barcelona. Me apo pa Lionel Messin, në sezonin 2022-23, Barcelona do të mund të konkurrojë Ligën e Kampionëve, dhe trinitetin e titujve.

Dhe po, Barcelona ka humbur titullin e La Ligas, nuk e ka fituar Reali i Madridit. Kampionët e Spanjës kanë ekipin më të përkryer në botë do të mund të thosha. Nisni nga porta, e deri tek rezerva 100 milionësh, Reali i Madridit ka nga dy lojtarë superior në secilën pozitë.

Zidane nuk e ka vështirë, e as të lehtë të zgjedhë, por e ka problem rotacionin, dhe lëndimet. Dhe ky sezon do të jetë ndër më të vështirët në karrierën e tij – do t’i duhet të menaxhojë kalimin në shtylla të reja, dhe pa asnjë prurje, sidomos në mbrojtje, s’do ta ketë të lehtë.

a

Për Realin, Sergio Ramos, Marcelo, Modric, Benzema e Bale, do të luajnë sezonin e (para)fundit. Bale s’do të pres as fillimin e këtij sezoni, dhe mbetet një ‘elefant në klub’ deri të largohet përfundimisht.

Pa këta, Reali do të vuajë, dhe më mirë të harrojnë që munden të mbulojnë kontributin e tyre me ardhje nga akademia. Janë mbështetur aq shumë në Ramosin, Modricin e Benzeman, sa që do të jenë ‘të humbur’ në rast të mungesës së tyre.

Ky sezon, do të jetë i Realit, marrë parasysh që Barcelona e Atletico pritet të vuajnë, e ekipet tjera nuk kanë ‘kaçik’ për titull. Por, në planin afatgjatë, do të vuajnë nëse nuk ka prurje, sidomos në
mbrojtje.

a

Diego Simeone është dëshmi se çfarë do të ndodhte nëse nuk ndryshon trajnerin kur shteret motivi për të luftuar për titull, gjithmonë duke qenë pranë. Klopp tek Dortmund dhe Pocchettino tek Spurs e pësuan të njëjtën. Atletico do të duhej të kishte ndarë rrugët me Simeonen dy sezone më parë.

Edhe ky sezon, do të jetë i njëjtë për ta, Top 4 dhe rrethi eliminator në Ligën e Kampionëve. Kot!

a

Sevilla kanë sjellë përvojë në Rakiticin dhe talent në Oscar Rodriguezin, për të cilin mendoj se është shitur më lirë se çfarë vlen! Por, prapë mund të ketë pasur vetëm një sezon mbi aftësitë e tija sezonin e kaluar. Kalimi në rrethin eliminator të Ligës së Kampionëve është dëshirë e të gjithëve, sepse prapë do të shkojnë e fitojnë Europa League.

Villarreal kanë ndërruar trajnerin pa nevojë! Me Callejan kanë qenë të shkëlqyeshëm, por Emery do të joshte çdo ekip spanjoll, dhe është e kuptueshme ardhja e tij. Megjithëkëtë, do ta kenë të vështirë të kualifikohen në Ligën e Kampionëve nga La Liga, por nëse ka një ekip që do të çajë Top4shin, atëherë do të duhej të jenë Villarreal. Por, mos të harrojmë që mbeten ndër favoritët kryesor për Europa League.

Mezi pres të shohë se si do të funksionojnë krahët e sulmit – Ontiveros, Kubo, e Chukwueze.

Real Sociedad, Granada, Getafe, Valencia, e gati gjysma e ligës do të luftojë për pozitën e 6të që kësaj radhe dërgon në Conference League, nëse Kupa fitohet nga dikush tjetër.

Marrë parasysh që Kupa zor që do të fitohet nga dikush jashtë Top5, atëherë, lufta për pozitën e gjashtë që dërgon në EL, dhe të shtatën që dërgon në CL, do të jetë më e rëndësishme se deri tashti.

E papërcaktuar është treshja që bie nga liga.

Elche, Cadiz, Huesca, janë të ardhura, por zor që të tria largohen. Nuk ka ndodhur së paku në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, dhe mendoj që Cadiz do të mbetet edhe për së paku një sezon. Elche e Huesca, do të luftojnë për mbijetesë me Alavesin e Eibarin. Këta të fundit, përkundër që janë një ekip shumë i vogël, po arrijnë të mbijetojnë, por nuk po janë rehat viteve të fundit. Alaves për një fije floku mbeti në ligë, e ndoshta më në fund, edhe Celta do të duhej të largohej, por e kanë Noliton!

Elche, Eibar, e Huesca janë tri që largohen!



i: Shkrimi është personal dhe nuk paraqet mendimet e redaksisë.


 
Të gjitha lajmet nga