Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

LUANI (B)ANALIZON

Leicesteri dhe titulli!

Futbollistët e Leicester Cityt duke festuar/ Foto: premierleague.com

Leicesteri dhe titulli!


Shkruan: Luan MORINA

26 December, 2015 @10:42

Gjibraltari, Malta, San Marino, Luksemburgu, Greqia…

Vetëm një nga këto ka fituar titullin e kampionit të Evropës. Në fakt vetëm një nga këto është kualifikuar në Botëror. Por, çka kanë të përbashkët. Që të gjitha janë mposhtur nga kombëtarja e Ishujve Faro në gara zyrtare! Dhe Greqia ka qenë e udhëhequr nga trajneri i mësuar për skuadra në tranzicion – Chelsea, Juventus, Monaco; Claudio Ranieri. 

Në fakt, të jem i sinqertë, Ranieri është treguar shumë modest. Para disa javëve në intervistë për RAI, ai tha që i vetmi synim për Leicester Cityn, dhe rrjedhimisht për të është arritja në kuotën e 40të pikëve. Kjo shifër do ti siguronte skuadrës praktikisht mbijetesën, dhe atij vazhdimin automatik të kontratës për një sezon tjetër. 

Nuk është trajner i titujve. Po të ishte trajner që do të dëshironin skuadrat, Leicester City s’do të ishte e 15ta në karrierën e tij. Në fakt, në mesin e shumë vetave që përqeshin ‘sukseset’ e tij në të kaluarën, dhe goxha hezitues në fillim të sezonit isha edhe unë. Dhe jo pa arsye – vetëm shihni ‘sukseset’ e tij.

Ama, Leicester City nën Ranierin ka topa të ndërprerë më së shumti në Premier League. Vetëm tre skuadra kanë shënuar më shumë gola se ta në pesë kampionatet më të mëdha evropiane – Dortmund, Bayern, PSG. Larg statistikave, lidershipi i tij emocional është vërejtur më së miri në ringjalljen e ekipit pas pushimit ndërmjet pjesëve. Skuadra me pothuajse lojtarët e njëjtë që luftonin për mbijetesë sezonin e kaluar është shndërruar në pretedente për titull. Sigurisht që ky ndryshim nuk ka mundur të ndodh brenda natës dhe trajneri ka ndikim. 

Por, titulli është mision i pamundur. Pse?

Thellësia e skuadrës – Leicester City ka 5 mbrojtës, 6 mesfushorë, 4 sulmues me më shumë se 5 paraqitje këtë sezon. Me fillimin e garave në kupë, numri i ndeshjeve do të shtohet. Të mbajnë formën me gjithë orarin e ngjeshur, por mbi të gjitha të ruajnë shëndetin është mision i pamundur. Si pasojë vijnë lëndimet, dhe një lëndim në çdo repart ngushton mundësinë e rotacionit, zëvendësimeve, dhe rotacionet – edhe pse specialitet i Ranierit, shpesh arrijnë të shkaktojnë konfuzion në skuadër duke pasuar me humbje në formë të rezultateve. Pastaj paramendojeni të lëndohen Vardy, Mahrez, apo edhe më keq po të lëndohej Kante për 4-6 javë. Katër deri pesë ndeshje pa njërin nga këta do të ishte vështirë të përballoheshin. 

Orari – Skuadra ka orarin më të vështirë nga të gjitha skuadrat e Premier League për festa. Me sukses kanë kaluar dy nga ndeshjet më të vështira, dhe përballimi i Liverpoolit e Manchester Cityt do të ishte mrekulli. Lodhja nga tre ndeshje për një javë mund të rezultonte me periudhën vijuese kur kanë punë me skuadra më inferiore pas Tottenhamit.

Gjithashtu maji pritet të jetë jo i lehtë – udhëtojnë në Manchester kundër Unitedit, presin Evertonin, dhe kthehen në rrugë për në Stamford Bridge. Nëntë pikë nga këto ndeshje është mision i pamundur.

Të tjerët – Manchester City dhe Arsenal duken favoritët kryesor për titull. Në fakt janë të vetmet skuadra që mendojnë se mund të përfundojnë mbi Leicesterin nëse nuk ndodhin problemet me lëndime. Manchester United dhe Liverpool nuk janë material për titull, njëra për shkak të trajnerit, tjetra për shkak të lojtarëve. Ndërkohë Tottenham kurrë nuk ka qenë i titujve. Chelsea është larg. Ndaj Arsenalit kanë humbur, ndaj Cityt pritet të shihet. Se çfarë do të arrijnë të bëjnë ndaj këtyre, se a do të zbulojnë të tjerët ilaçin për Leicester do të shohim. Dhe atë para se të shohim Leicesterin e Claudion duke festuar titullin.

Por, çfarë nëse…

Jo! S’ka nëse! Leicester City nuk e fiton!

Por, nëse arrijnë me shumë fat të mbijetojnë periudhën e festave, të mënjanohen nga kupa, dhe të kenë shëndet të mirë, të qëndrojnë në krye deri në shkurt, atëherë mund të besojnë në titull. Në shkurt, ManCity e Arsenali kthehen në Champions (kjo e dyta me pak shanse për të vazhduar më tej). ManUtd, Spurs, e Liverpool kthehen në Europa League. Angazhimi i tyre në këto gara mund të shpërqendroj vëmendjen nga Premier League. Gjithashtu në javën e parafundit, me 7 maj ndeshen Manchester City dhe Arsenali. Mos të harroj edhe afatin e janarit, që me disa transferime për të zgjeruar alternativat në rezerva, Leicester mund të sigurohet në rast të lëndimeve. Por, transferimet shpesh dinë edhe të prishin atmosferën në skuadër. E atmosfera është arma kryesore e skuadrës. Loja me zemër, angazhimi, fryma pozitive ndërmjet vete – në të gjitha ka rol Ranieri; janë diçka që shumica e skuadrave tjera nuk kanë. Janë përbërësit që i bëjnë të presin Krishtlindjet në pozitën e parë, njëzet pozita më lart se Krishtlindjet e kaluara. 

Është tregim i mirë. Më i miri i viteve të fundit. Personalisht më kënaq loja e tyre, dhe mundohem të mos humbas asnjë ndeshje të Leicesterit këtë sezon. Si futbolldashës do të doja të fitonin e të shndërroheshin në një tregim për gjenerata. Ama….


 
Të gjitha lajmet nga