VENDIMI I KE-së

Liga e Dytë do të vazhdojë edhe për një stinor me sistem të njëjtë
12 January, 2021 @22:25
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv (KE) sot ka marrë vendim që Liga e Dytë e Kosovës në futboll të vazhdojë edhe në stinorin e ardhshëm, me sistem të njëjtë të garave sikurse këtë stinor.
E njëjta vlen edhe për Ligën e Tretë të Kosovës, që është e ndarë në katër rajone.
Kështu, nga Liga e Dytë e Kosovës do të bien vetëm dy skuadrat e fundit në renditje edhe në sezonin që vjen. Ndërsa nga Liga e Tretë e Kosovës kampionët e grupeve do të luajnë ndeshje barazhi prej ku fituesit do të sigurojnë plasmanin në Ligë të Dytë të Kosovës.
“KE edhe një herë diskutoi për sistemin e garave në Ligën e Dytë dhe Ligën e Tretë, me ç’rast vendosi që edhe në edicionin e ardhshëm Liga e Dytë të ketë 16 skuadra, e ku dy skuadra do të vijnë nga Liga e Tretë (me ç’rast kampionët e grupeve luajnë lojë barazhi, ku fituesit e tyre inkuadrohen në Ligën e Dytë), derisa nga liga largohen dy skuadrat e fundit në renditje,” ka bërë të ditur FFK në njoftimin e lëshuar sot.
Kampioni dhe nënkampioni i Ligës së Dytë sigurojnë Ligën e Parë të Kosovës.
Ndërsa në PG 2020/21 FFK ka shkruar qartë se nga Liga e Dytë do të largohen 6 skuadrat e renditura nga pozita: 11, 12, 13, 14, 15 dhe 16, ku rënia e tyre bëhet në Ligat e Treta të Kosovës, rajonale, sipas përkatësisë, konfiguracionit dhe shtrirjes gjeografike.
Kështu, tash ashpërsia e luftës për mbijetesë në Ligë të Dytë të Kosovës do të jetë shumë më e vogël, derisa duke parë rezultatet e pjesës së parë të stinorit Galaksia thuajse është dorëzuar dhe mbetet të kuptohet cila nga 2-3 skuadrat tjera potenciale për rënie, do të dorëzohen në luftë - për vendin tjetër që rrëzon poshtë.