NË PRIZREN
Liria prezenton 4 përforcime nga Shqipëria
10 July, 2017 @18:39
Liria që ditë më parë ka emëruar trajner Blendi Shkëmbin, ish-lojtarin e kombëtares dhe të Skënderbeut, sot ka zyrtarizuar në radhët e saja edhe 4 futbollistë nga Shqipëria.
Endri Vrapi, mesfushori me përvojë, 35 vjeç, vjen nga Vllaznia e Shkodrës. Ai së fundi ka pasur 28 paraqitje në Kategorinë Superiore për ekipin shkodran në stinorin e shkuar. Ka përvojë të madhe në Kategorinë Superiore, ndërsa ka luajtur edhe për Partizanin, Tiranën, Skënderbeun, Besën e Elbasanin.
Jetmir Sefa, një futbollist tjetër më përvojë. Së fundi ka qenë pjesë e Kamzës, që siguroi Superioren. Ai ka luajtur edhe te Tirana, Vllaznia, Kastrioti, Bylisi e Skënderbeu. Sefa 30 vjeç ka zhvilluar 15 ndeshje në Kategorinë e Parë stinorin e kaluar, duke shënuar 1 gol.
Kristi Kote, lojtar i ri. 18 vjeçari që vjen nga shkolla e Skënderbeut të Korçës dhe trajneri Shkëmbi e njeh mirë. Ka potencial për më shumë, ndërsa tash pritet të shihet sa do të fitojë rastin që t’i ndihmojë ekipit të Prizrenit.
Njejtë, sulmues tjetër është Artur Magani. Magani vjen nga Teuta e Durrësit. Magani 23 vjeç është qendërsulmues, ndërsa në stinorin e fundit ka qenë pjesë e Teutës. Elbasanasi ka luajtur edhe për Shqipërinë U19.
Të gjitha këto përforcime, janë duke u stërvitur këto ditë me Lirinë dhe krerët e klubit kanë thënë se pritet që lojtarët të përshtaten në ekip, për të parë Lirinë e fortë në Superligë.
Drejtori i klubit, Erxhan Dana, është shprehur që ekipi është në fazën finale të transferimeve.
“Besoj që tashmë jemi në fazën finale të përmbylljes së transfereve. Të shohim si do të përshtaten lojtarët. Presim shumë nga ‘ta,” është cituar të ketë thënë Dana për faqen e Lirisë sot.