LLAPI - DRENICA
Llapi s’lejon humbjen, pikët ndahen
10 March, 2021 @15:01
Një ndeshje mjaft interesante është zhvilluar sot mes Llapit e Drenicës në Podujevë!
Skuadrat në fjalë dhuruan plot 6 gola, e ndeshja në fund u mbyll pa fitues, 3-3 (Arbnor Ramadani 25’, Engjëll Hoti 83’, Ahmed Januzi 88’ / Eglentin Gjoni 45+3’, Kreshnik Uka 58’, Dionis Cikani 75’).
Arbnor Ramadani i Llapit ishte ai që i pari u shënua në listën e golashënuesve, kur shënoi nga distanca në minutën e 25’, e reagimi i mysafirëve erdhi në fundin e pjesës së parë përmes Eglentin Gjonit, i cili shënoi për 1-1.
Më pas, pjesa e dytë dhuroi edhe 4 gola tjerë.
Fillimisht për epërsinë 1-2 shënoi Kreshnik Uka i Drenicës pas një gabimi të mbrojtjes së Llapit, e më pas për 1-3 shënoi i inkuadruari nga banka rezervë, Dionis Cikani, i cili shënoi 6 minuta pasi u inkuadrua në lojë.
Rreth 7 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, Llapi së pari shënoi përmes Engjëll Hotit për 2-3, para se Ahmed Januzi në minutën e 88’ të shënonte për barazim 3-3, për t’ia mohuar kështu skuadrës së Bledar Devollit fitoren, ndonëse kishte epërsi 2 golëshe deri 7 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.
Barazimi i sotëm e mban Drenicën edhe më tutje në vendin e parafundit, kurse Llapi momentalisht është vetëm 1 pikë larg pozitës që dërgon në Play-Out.