SHQIPËRIA
Masat anti-COVID, edhe kuqezinjtë me disa mungesa
Teksti: FSHF
9 November, 2020 @21:19
Kombëtarja shqiptare ka nisur përgatitjet për tre ndeshjet e muajit nëntor, por lista kuqezi do të ketë ndryshime për shkak të pandemisë COVID-19 dhe problemeve e janë hasur me klubet.
Një pjesë e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Edoardo Reja i janë bashkuar tashmë skuadrës dhe kanë nisur stërvitjen, ndërkohë që disa të tjerë pritet të vijnë sot në mbrëmje dhe nesër. Situata pandemike dhe masat kufizuese të vendeve të ndryshme kanë sjellë probleme edhe për kuqezinjtë.
Zyra e shtypit të FSHF-së bën me dije se mbrojtësi Lorenc Trashi nuk mund të bashkohet me skuadrën pikërisht për shkak të masave kufizuese në Kuvajt, ku aktivizohet aktualisht lojtari. Gjithashtu, edhe mbrojtësi tjetër, Marash Kumbulla është në dilemë për shkak se autoritetet shëndetësore italiane i kanë kërkuar të gjithë lojtarëve të Romës që të qëndrojnë momentalisht në karantinë pas daljes pozitiv të një prej lojtarëve të këtij klubi.
Në pritje të përgjigjes së tamponëve, stafi kuqezi shpreson që të ketë Kumbullën të paktën për dy ndeshjet zyrtare të Ligës së Kombeve. FSHF është kontakt të vazhdueshëm me dy klubet për të marrë informacione të mëtejshme për situatën e dy futbollistëve. Sakaq, konfirmohet edhe mungesa e sulmuesit Giacomo Vrioni, i cili është dëmtuar.
Në këto kushte trajneri Reja ka vendosur të thërrasë dy mbrojtësit e Tiranës, Erion Hoxhallari dhe Marsel Ismajlgeci, të cilët janë vënë menjëherë nën urdhrat e stafit teknik kuqezi.
Edhe Klaus Gjasula pritet të humbasë miqësoren me Kosovën, pasi do të bashkohet me grupin ditën e premte, 13 nëntor. Për pjesën tjetër të grupit nuk ka probleme dhe deri të martën në mëngjes të gjithë do të jenë në gatishmëri.
Më 11 nëntor kuqezinjtë do të luajnë në miqësore ndaj Kosovës në “Elbasan Arena”, ndërsa më 15 nëntor luhet ndaj Kazakistanit në stadiumin “Air Albania” sfida zyrtare për Ligën e Kombeve. Tre ditë më pas, më 18 nëntor, Kombëtarja do të zhvillojë sfidën e fundit të grupit në Ligën e Kombeve ndaj Bjellorusisë po në stadiumin “Air Albania”.