TË GATSHËM PËR NDESHJE

Mbyllet stërvitja e fundit, rikthimi i Zhegrovës jep shpresa
15 June, 2023 @19:29
Ka përfunduar edhe stërvitja e fundit e Kosovës para ndeshjes ndaj Rumanisë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024. Kosova nuk ka shënuar asnjë fitore deri tash, ndërsa nga dy ndeshjet e para ka marrë dy barazime. Një prej tyre ndaj Andorrës!
Lajm i mirë nga stërvitja e fundit është se futbollisti i Lille Edon Zhegrova i është kthyer ushtrimeve dhe ka bashkëpunuar mirë me bashkëlojtarët aty. Kjo, i ka dhënë shpresa edhe selektorit Alain Giresse për ndeshje ndaj rumunëve.
FFK-ja në anën tjetër ka thënë se puna e bërë nga stafi mjekësor i saj ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për rikthimin e Zhegrovës.
“Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes kundër Rumanisë, e cila zhvillohet të premten në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në këtë seancë ka stërvitur edhe Edon Zhegrova, i cili ka vuajtur nga një lëndim, por që pas angazhimit të madh të tij dhe stafit mjekësor gjatë ditëve të kaluara ka arritur të kryejë pa pengesa stërvitjen e sotme. Atmosfera në kampin e Dardanëve është mjaft e mirë dhe të gjithë presin që nesër të kenë paraqitje të mirë dhe me përkrahjen e tifozëve të arrijnë t’i gëzohen fitores së parë në këtë cikël kualifikues.” - ka shkruar FFK-ja në njoftimin e saj.
TABELA dhe ORARI I NDESHJEVE drejt EURO2024
Kosova, pas dy ndeshjeve të para në ciklin kualiifkues për EURO 2024 që do të mbahet në Gjermani ka marrë dy pikë, duke barazuar ndaj Izraelit dhe Andorrës në shtëpi, në këtë të fundit që u cilësua ndër befasitë më të mëdha deri tash, ndërsa u pa me mjaft kritika te opinioni ynë.
Gjatë qershorit, Kosova do të ketë dy duele te të cilat pret të arrijë fitoren e parë në rrugëtim për EURO 2024. Dardanët presin Rumaninë më 16 qershor në Prishtinë, para se të udhëtojnë për në ndeshje ndaj Bjellorusisë në Hungari, ku do të zhvillohet ndeshja.◼️