PREMTON MUJA
Me facebook e largojnë nga klubi
10 July, 2017 @15:39
Njëri ndër mesfushorët me përvojë të futbollit kosovar, Premton Muja, që në vitet e fundit ka mbrojtur ngjyrat e Vllaznisë së Pozharanit, nuk do të jetë më pjesë e këtij klubi.
Mujës ekipi i ka njoftuar përmes Facebookut se nuk do të jetë pjesë e skuadrës, ndërsa futbollisti në fjalë për gazetën Sheshi ka thënë se kjo ka qenë mënyra vërtetë e turpshme, pas gjithë kontributit të tij të dhënë për ekipin, që për herë të parë në histori të saj siguroi Superligën.
“U dakorduam që pas pushimit tim të bisedonim për vazhdimin e kontratës, por kjo nuk ndodhi. Përmes Facebookut më njoftuan se nuk do të vazhdojnë me mua, pasi që nuk kishin fytyrë të bisedonin sy më sy,” është cituar të ketë thënë Muja për gazetën në fjalë.
Premtoni 32 vjeç në tre vitet e fundit ka kontribuuar me mbi 40 gola, ndërsa mënyra e ndarjes së klubit me të, nuk i ka pëlqyer fare lojtarit.