SIGAL PRISHTINA

BOROZANI/Erdis Driza
Me publikun, drejt fitores
21 January, 2015 @13:49
Sigal Prishtina do ta zhvillojë njërën ndër ndeshjet më të rëndësishme të stinorit sonte.
Kampionja e Kosovës, përballet me Kozuvin maqedon në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, duke kërkuar asgjë tjetër pos fitores ndaj një ekipi që nuk din çka është humbja në Balkan League këtë stinor.
Drejtuesit e klubit dje paralajmëruan që u mungon qendra vendore Blerim Mazreku, i cili nuk do të arrijë t’i ndihmojë ekipit të tij në ndeshje të rëndësishme, për shkak të lëndimit.
Gjithashtu ekipi pret përkrahje të madhe nga publiku për të krijuar atmosferë sa më të rëndë për kundërshtarin në lojë.
Referët e ndeshjes do të jenë ata që ndanë drejtësinë në takimin e mbrëmshëm në Pejë, ku Peja u mposht nga Rilsi: Ognjen Jokic, Georgios Poursanidis dhe Ivan Milicevic.
Dy përforcimet e fundit të Sigal Prishtinës, Julius Coles dhe Julian Mavunga pritet të debutojnë me fanellën e ekipit të ri të tyre, ndërsa trajneri Marjan Ilievski, pritet të debutojë para publikut vendas.
Në faqen zyrtare në Facebook, klubi ka bërë të ditur se biletat do të dalin në shitje prej orës 15:00 te Newborni, derisa ndeshja fillon në orën 19:00.
Sigal Prishtina deri më tani ka bilanc 4-3 pas 7 ndeshjeve të zhvilluara në fazën e parë të Balkan League, që do të thotë se ka siguruar kualifikimin muaj më parë.
Mirëpo, një rezultat pozitiv sonte përveç motivimit do t’iu ipet mundësinë bardhekaltërve që të renditen edhe më mirë në fazën e dytë të kësaj gare.
Kjo është ndeshja e fundit e Sigal Prishtinës për këtë fazë të ligës ballkanike, derisa ka mbetur edhe një xhiro tjetër për tu kompletuar të gjitha ndeshjet para se të dihen pjesëmarrësit e fazës së dytë dhe të përcaktohen ndeshjet.
Kujtoni ndeshjen e parë Kozuv-Sigal Prishtina
TRANSMETIMI:
Transmetimi i ndeshjes pritet të bëhet në RTK 4, ndërsa ndeshjen gjithashtu e mundëson edhe SportMedia.tv |