Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EGZON SHABANI SI TRAJNER, DEBUTON ME FITORE!

Me trajnerin e ri, Ferizaji mposht 2 Korrikun!

Foto: FCFerizaji/fb

Me trajnerin e ri, Ferizaji mposht 2 Korrikun!


Teksti: 2korriku.com

29 October, 2023 @23:29

2 Korriku vazhdon të mos fitojë, kësaj radhe “dorëzohet” përballë Ferizajt, ekipit që u tregua cinik por jo që e meritoi fitoren.

Ekipit nga kryeqyteti nuk i ka mjaftuar goli i Miftar Avdiut (30’) për të nxjerrë pikë nga “terreni” i vështirë në Ferizaj. Betim Haxhimusa (25’) dhe Egzon Qerimi (50’ 64’) si golashënues bën që ekipi nga qyteti i Ferizajt të triumfoi në duelin e sotëm.

Tani, le të raportojmë se si shkojë ndeshja. Ishte minuta 4’ kur Ferizaj tentoi i pari, përmes goditjes me kokë të njërit prej mbrojtësve, për t’i lënë vend vetëm dy minuta më pas një goditjeje mjeshtërore të Sadriut, që shkoi shumë pranë portës së portierit Ajeti.

Me kaq përfundoi dominimi i lehtë i vendësve; 2 Korriku pati rastin e artë në minutën 14’ kur Ergon Hyseni i bëri “dhuratë” Miftar Avdiut, i cili e pasoi topin tek Zeqiri e ky më pas tek Hamidi, por fati dhe ngathtësia e mysafirëve bëri që vendësit të shpëtojnë pa pësuar gol.

Rastet e mira për 2 Korrikun vinin duke u shtuar; në minutën 25’, Hamidi pa veten sërish përballë portierit Jovanovski, goditi por u ndalë nga ky i fundit. Pak sekonda më pas, ashtu siç po i ndodh zakonisht ekipit të 2 Korrikut në xhirotë e fundit, erdhi dënimi- kur nuk shënon, pëson. Haxhimusa u asistua për mrekulli dhe nga pranë portës shënoi me kokë për 1:0.

Mirëpo, nuk vonoi shumë kundërpërgjigjja e të besuarve të Besim Ademit. Harkimin fantastik të kapitenit Oruqi, me goditje edhe më të bukur e ktheu në gol sulmuesi Miftar Avdiu- luhej minuta 30′.

Pas golave, ndeshja sikur u qetësua, me rastin e fundit në pjesën e parë që erdhi në minutën 41’, kur Haxhimusa i vetëm me Ajetin nuk shënoi, me këtë të fundit që tregoi “magjinë” e tij dhe nuk u mposhtë sërish.

Sikurse e para, edhe pjesëloja e dytë dhuroi dy gola, por kësaj radhe të dy për vendësit, që shënuan dy herë me Qerimin (50’ 64’), i cili në golin e parë sikur e ngatërroi sportin dhe shënoi me dorë, por kjo gjë, për çudi, nuk u pa nga gjyqtari Haxhimustafa dhe asistentët e tij; kurse në golin e dytë ekzistoi dyshimi për një prekje të futbollistit Shabani i cili qartazi ishte në pozitë jashtë loje.

Vendimet e dyshimta të gjyqtarëve vazhduan, madje pak minuta pas golit të vendësve, u anulua për pozitë jashtë loje goli i mbrojtësit “verdheblu”, Milot Hyseni- rast jashtëzakonisht i dyshimtë, që bashke me rastet tjera do të qartësohen në momentin që do të jenë të gatshme pamjet nga xhirimi i ndeshjes.

Përkundër të gjitha ndodhive, 2 Korriku mblodhi forcat dhe deri në fund tentoi mjaft shumë, por forma e mirë e portierit Jovanovski (përmendim pritjen e goditjes me kokë të Durakut në minutën 77’), mbrojtja e ngjeshur dhe zhagitjet e tepërta të vendësve bënë që rezultati më të mos ndryshohet dhe me kaq të mbyllet ky takim.

2 Korriku vazhdon të qëndrojë në pozitën e pestë me 12 pikë, me xhiron e radhës që do të zhvillohet në fundjavën e ardhshme (4/5 Nëntor), e ku “verdheblutë” do të jenë sërish mysafir, por kësaj radhe afër shtëpisë, në “Xhemail Ibishi” të Flamurtarit.

Ferizaj – 2 Korriku 3:1

Golashënues: Betim Haxhimusa 25’, Egzon Qerimi 50’ 64’; Miftar Avdiu 30’

Gjyqtarët e ndeshjes: Taulant Haxhimustafa (Rahovec), Arton Latifi (Podujevë), Krenar Gaxholli (Prizren)

Delegati e ndeshjes: Shemsedin Abazi nga Kaqaniku

Vëzhguesi i i gjyqtarëve: Selami Haziri nga Gjilani

Formacioni startues i Ferizajt: Marko Jovanovski, Enis Sefa, Behar Bardi, Betim Haxhimusa, Edon Sadriu /kap./, Gentrit Ramusa, Filip Gligorov, Norik Krasniqi, Qlirim Avdulli, Egzon Qerimi, Ergon Hyseni. Kryetrajner: Egzon Shabani.

U inkuadruan edhe: Kujtim Qeli 61’, Arlind Shabani 61’, Enhar Cakolli 77’, Erion Sadriu 84’.

Formacioni startues i 2 Korrikut: Arnis Ajeti, Abit Salihu, Agron Beqiri, Albert Stublla, Jehon Stublla, Andi Oruqi /kap./, Edon Zeçiri, Gneilepkan M. Camara, Londrit Hamidi, Miftar Avdiu, Granit Latifi. Kryetrajner: Besim Ademi.

U inkuadruan edhe: Milot Hyseni 46’, Enes Duraku 46’, Ardit Gashi 65’, Ideal Abdullahu 74’, Redon Bejta 81.

Mungoi për arsye dëmtimi: Riad Jashari.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e parë