PRISHTINA E RE SHTON DISTANCËN NË KRYE!
Salihu e Dobratiqi sjellin fitore në derbi për Prishtinën e Re
3 November, 2023 @15:22
Prishtina e Re ka fituar derbin e Ligës së Parë - Grupi B, të zhvilluar sot ndaj Vjosës në “Sami Kelmendi” të Lipjanit. Kanë qenë golat e Toni Salihut dhe Lorik Dobratiqit në pjesë të dytë që kanë vulosur fitoren e ekipit të Elon Berishës, ndërsa kanë thelluar distancën në krye të tabelës për ekipin lider ndaj ndjekësit.
Pas një pjese të parë shterpe dhe të matur, ku Vjosa kishte pak më shumë raste, ndërsa një konkrete me Albion Shurdhiqin, të cilin e mbrojti bukur Bislimi, në pjesë të dytë në skenë ka dalë sulmi i Prishtinës së Re që ka shënuar dy herë brenda tetë minutave lojë për të vulosur fatin e takimit.
Së pari Salihu merr një top nga mesi dhe godet fuqishëm përtoke nga e djatha për t’ia dhënë epërsinë skuadrës. Derisa Vjosa e Leotrim Krasniqit futet plotësisht në sulm, Dobratiqi shfrytëzon edhe një mundësi gati si të njëjtë me golin e parë, për të shutuar fuqishëm dhe për të bërë rezultatin 0-2!
Deri në fund të ndeshjes Vjosa uli epërsinë e mysafirëve, por në rastet tjera nuk u tregua e saktë, për të nxjerrë së paku barazim. E Prishtina e Re, u tregua e kujdesshme dhe me sulme të matura tentonte golin e radhës, që s’ia arriti falë një parade të Azemit në portën e Vjosës.
Në fund, Vjosa 1-2 Prishtina e Re [Fidan Gashi 81’ - Toni Salihu, 61’, Lorik Dobratiqi 69’] për tre pikëshin e radhës për mysafirët. Me fitore, Prishtina e Re lidere e Grupit B të Ligës së Parë tash ka 26 pikë nga 11 ndeshje, 4 më shumë sesa ndjekësja e parë, Vjosa, që regjistroi humbjen e tretë sezonale sot.