GJYSMËFINALJA, ARGJENTINA - KROACIA
Messi madhështor, Argjentina në finale
13 December, 2022 @21:59
Argjentina është finalistja e parë e Botërorit të Katarit. Gauchosët kanë mposhtur Kroacinë në gjysmëfinale, me rezultat bindës, 3-0 [Lionel Messi 34pen., Julian Alvarez 39, 69].
Lionel Messi përkundër se disa herë u pa duke e mbajtur kofshën e këmbës së tij të majtë, arriti që të përfundojë ndeshjen dhe atë në mënyrë briliante, duke lënë mbresa dhe duke treguar edhe njëherë se pse konsiderohet si më i miri i të gjitha kohërave.
Ai shënoi golin e parë nga penalltia për Argjentinën, ndërsa shpejt Julian Alvarez me një vrap nga mesi i fushës, me dy topa të penguar nga mbrojtja kroate, arriti ta fusë atë në rrjetë për 2-0 pas vetëm 39 minutave lojë.
Në pjesë të dytë, Messi tregoi briliancën duke dribluar bukur, bashkë me top i ndjekur pandërprerë nga Josko Gvardiol për të asistuar në fund pasi që hyri në zonë te Alvarez, që futi topin në rrjetë për 3-0!
Kroacia kishte dominimin në posedim. Luka Modric provoi gjithçka të organizonte sa më mirë për bashkëlojtarët, por sulmi nuk funksionoi, ndërsa Argjentina u tregua luftarake në mbrojtje për të mos lënë raste të mira për ata.
Në fund të ndeshjes, statistikisht, goditje drejt portës Argjentina-Kroacia: 9-11, në kornizë të portës 7-2, posedimi i topit 39-61%, pasime të sakta 332-522.
Lionel Messi në këtë ndeshje, me golin e shënuar ka çuar numrin total të golave të tij me Argjentinën në Botërore në 11, duke rrënuar kështu rekordin e deritashëm që mbante Gabriel Batistuta.
Messi ka qenë sonte i parezistueshëm, dërrmues. Ai ka bërë Argjentinën që të dalë përpara, të vrapojë për të shënuar golin e pestë (këtë Botëror) me penalltinë e konvertuar në gol, ndërsa është involvuar edhe në magjinë për të shënuar golin vrasës nga Alvarez, duke lënë mbrojtjen e kundërshtarit duke shikuar.
Messi në përgjithësi i ka bërë të gjitha. Njëmbëdhjetë tituj ligash. Katër Liga të Kampionëve. Copa America. Shtatë Topa të Artë. Ka shënuar tashmë 791 gola në karrierë, prej të cilave 97 për Argjentinën. Kupa e Botës, eh, kjo i mungon në CV. A do të jetë përfundimisht edhe kjo e realizuar?
Kroacia bëri gjithçka. Luftë për të mbijetuar në grup, rikthim i dyfishtë, ndaj Japonisë dhe ndaj Brazilit për të arritur këtu. E pabesueshme për shumë e shumë futbolldashës globalisht. Asnjëherë s’e dini nëse ata janë të mposhtur. Një popullsi rreth 4 milionë, ka prishur përsëri të gjitha parashikimet e shumicës… por jo kësaj radhe.
Kur Julian Alvarez shënoi të tretën për Argjentinën dhe Zlatko Dalic në minutën e 81 të ndeshjes nxorri Luka Modricin nga loja, u pa e tëra. Nuk ishte nata e tyre.
Derisa ishte 1-0 për Argjentinën, nuk kishte problem. Kroacia do të kthehej disi në lojë. Ata e dinë si. Por, kundërsulmi kur Messi arriti para Marcelo Brozovicit dhe Julian Alvarez mori topin, si bulldozer deri në fund, tha shumë.
Dalic futi Mislav Orsicin dhe Bruno Petkoivcin për tu kthyer në 4-4-2. Por Kroacia nuk arriti të thyente luftën e pakompromis që tregonin gauchosët në mbrojtje. Kjo u tregua edhe në skenën e shkëlqimit të Messit, kur mori topin nga gati gjysma e fushës, për të vazhduar deri në parafund. Parafund, sepse pas gjithë atyre prekjeve me të majtën e tij magjike, ia dha topin me të djathtën Alvarezit, që shënoi për të mbushur Argjentinën dhe milionat e adhuruesve, në fitoren që e çon atë dhe ata në finale. Në atë që po e kërkon me ngulm, të cilin edhe ekipi tashmë e ka të qartë. Disi sikur thonë, nëse ne luajmë për të, ai do të na sjellë aty. Ndoshta edhe e dinë. Te trofeu.
E ne shikuesve, na mbetet ta shohim, ndoshta për të fundit herë, në një skenë të tillë, të dielën.