Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

MBYLLET PROCESI

Ministria licencon FFK-në

Ministria licencon FFK-në


5 May, 2023 @16:14

Federata e Futbollit e Kosovës e ka përmbyllur procesin e licencimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sipas udhëzimit të ri administrativ për licencimin e federatave. Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, sot, e ka nënshkruar vendimin për licencimin e FFK-së, bazuar në rekomandimin e Komisionit për Licencimin e Federatave Sportive (KVLFS).

Pas plotësimit të kushteve të kërkuara nga Ministria e Sportit, FFK më në fund ka arritur të licencohet, pasi që procesi mori shumë kohë. Pak nga FFK, por edhe më shumë nga klubet, që s’arrinin të kompletonin dokumentacionin, ky proces zgjati disa muaj. Por, tanimë sipas FFK-së është gjithçka në rregull dhe Ministri Çeku ka nënshkruar dokumentin-vendimin për licencim.

Problem i madh në licencim kanë qenë edhe numër i madh i klubeve që nuk i kanë pasur dokumentacionet në rregull, ndërsa FFK ka ofruar ndihmë për t’i rregulluar ato.

“Duke pasur parasysh se FFK është organizata më e madhe sportive në vend dhe me numrin më të madh të klubeve, ky proces ka marrë kohë të konsiderueshme deri te përmbyllja e licencimit. Por pas një angazhimi të madh të administratës së FFK-së, klubeve dhe ministrisë është arritur të plotësohen kushtet për licencim. FFK përgëzon zyrën e sekretarit me administratën, si dhe të gjitha klubet që kanë punuar me përkushtim në këtë proces të ngarkuar dhe me kushte specifike. Përmbyllja e këtij procesi tregon se FFK është duke punuar drejt standardit më të lartë të menaxhimit dhe transparencës si në federatë, ashtu edhe në klube.” — ka bërë të ditur ndër të tjera njoftimi i Federatës lëshuar pak më parë.

Licencimi i FFK-së mundëson që klubet dhe Federata të përfitojnë nga Ligji për Sponsorim, që ka ngritur klubet në nivel tjetër, pasi që prej saj përfitohen deri në 30% të tatimit në fitim nga bizneset e ndryshme, që kanë të lejuar deri në atë përqindje dhënien e tatimit në fitim në llogari të klubeve sportive.

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Liga e Dytë