GRUPI A: SENEGALI - HOLANDA
Minutat e fundit vendosin, Holanda e nis me fitore
21 November, 2022 @18:53
Holanda e Louis Van Gaalit e ka nisur me fitore kampanjën e saj në Botërorin e Katarit, pasi që mposhti kampionin e fundit të Afrikës, Senegalin 0-2 [Cody Gakpo 84, Davy Klaassen 90+].
Në një ndeshje të luftuar fuqishëm nga të dyja palët, Senegali ka pasur 2-3 raste të mira për të shënuar, ndërsa portieri i Holandës Andries Noppert është treguar në vend, për të mbrojtur goditjet e të përzgjedhurve të Aliou Cissesë.
Holanda ka pasur më shumë topin, ka dominuar me lojë në ndeshje, derisa rastet që bëheshin trajtoheshin suksesshëm nga mbrojtja e deri vonë e celiktë senegaleze me në krye Kalidou Koulibalyn.
Mirëpo, ka qenë një krosim i bukur brenda në zonë i Frenkie de Jongut që zgjodhi ndeshjen. Ai krosoi në zonë, e Cody Gakpon i PSV-së, ishte më i shpejtë sesa Ed Mendy për të arritur te topi dhe shënoi për avantazh.
Përndryshe, përkundër rasteve të shumta, dy golat e ardhura nga Holanda kanë qenë dy goditjet e tyre të vetme në portë, derisa zëvendësuesi Davy Klaassen ka shutuar në portë pas dëbimit të topit të Mendyt, prej shutit të zëvendësuesit tjetër Memphis Depay.
Holanda merr tri pikët e para në ndeshjen e parë, ndërsa Senegali në duelin e radhës do të ketë punë ndaj Katarit për të kërkuar fitoren e parë në kampionat.