MORINA & MOCNIK

Morina & Mocnik, udhëheqin Heliosin
17 February, 2015 @18:06
Seria e zezë prej 8 ndeshjeve me humbje e skuadrës Helios në kampionatin slloven tashmë ka marrë fund.
Kjo është arritur falë dyshes së mirënjohur për basketbollin kosovar, Gëzim Morina dhe Jan Mocnik, të cilët e udhëheqën skuadrën e tyre drejtë fitores në ndeshjen kundër Grosuplje që përfundoi me rezultat 79-75.
Morina dhe Mocnik ishin basketbollistët e vetëm që luajtën me double-double në këtë ndeshje.
Suharekasi 23 vjeçar shënoi 11 pikë e 12 kërcime, derisa ish organizatori i Pejës shtoi 17 pikë e 11 asistime, për të qenë dy nga shtyllat kryesore në fitoren e Heliosit.
Skuadra e Heliosit ishte afër që t’i jep fund serisë së zezë edhe para kësaj ndeshjeje, mirëpo fitorja i iku pas vazhdimit pesë minutëshe në përballje me skuadrën e Erjon Kastratit, Krka.