SELEKTORI I RI
Mulaomerovic: Dua të jem fitues
31 August, 2018 @22:15
Selektori i ri i Kosovës në basketboll, Damir Mulaomerovic, në bisedë me faqen zyrtare të FBK-së ka bërë të ditur se sfidat ndaj Maqedonisë dhe Rumanisë do të jenë shumë të vështira.
Mirëpo, ai ka dhënë shpresa të mëdha për reprezentacionin.
“Filozofia ime nuk është e panjohur. Të gjithë që më njohin si lojtar dhe tani si trajner e dinë mirë se unë gjithmonë kam qenë fitues dhe dua të jem fitues,” ka thënë Mulaomerovic.
“Filozofia ime është puna në grup, vetëm ashtu mund të kemi suksese. Basketbolli është lojë ekipore dhe të gjithë e dimë se duhet të funksionojë i gjithë ekipi për të arritur rezultatet pozitive,” ka shtuar ai.
Stërvitjet e Kosovës zhvillohet çdo ditë në Prishtinë me ritëm dy herë në ditë, 10:00 - 12:00 dhe 19:00 - 21:00. Ndërsa Mulaomerovic ka ftuar 24 lojtarë në listën e gjërë të reprezentacionit për përgatitje ndaj ndeshjes së parë kundër Maqedonisë që zhvillohet më 13 shtator 2018. Sot numri i shfaqur i lojtarëve në faqen zyrtare të FBK-së është 25, ku është shtuar edhe Arian Memeti.
Kosova në parakualifikime për Eurobasket 2021 ka përballë Maqedoninë dhe Rumaninë në grup. Kosova duhet të fitojë grupin për të kaluar në fazën kualifikuese për Eurobasket 2021, që do të ishte sukses i madh për vendin.
“Pres nga lojtarët që të japin maksimumin dhe të luajnë me zemër. Unë jam optimist sepse kemi lojtarë shumë të mirë. Tani na mbetet të punojmë dhe në parket të bëjmë më të mirën,” ka vazhduar trajneri i ri i Kosovës, për të përfunduar me ftesë për publikun për ndeshjen e parë kualifikuese.
“Ndeshja e parë kundër Maqedonisë është shumë e rëndësishme. Por me maksimumin tonë dhe besoj, me përkrahjen e madhe të shikuesve, sepse kam dëgjuar që këtu publiku është mahnitës, do t’ia dalim me sukses të kalojmë pengesën e parë.”