FIBA & BAT
Bashkimi largohet nga lista e zezë e FIBAs
31 August, 2018 @22:04
Skuadra kampione e Kosovës në basketboll, Bashkimi, së fundi është larguar nga lista zyrtare e ekipeve me sanksione nga FIBA.
Kjo, pasi që me ndërrimin e kryesisë së klubit, është filluar që të negociohet me lojtarët dhe të bëhet pagesa e borxheve ndaj tyre (rasti i amerikanit Eric Palm dhe agjentit të tij).
Kështu, prej sot ekipi i Bashkimit nuk figuron në listën e ekipeve të sanksionuara në BAT, në faqen zyrtare të FIBAs.
Bashkimi stinorin e kaluar e përfundoi për herë të parë në histori të klubit si kampion i Kosovës, ndërsa arriti edhe suksesin më të madh në gara ndërkombëtare, duke u bërë finalist i BIBL.
Në ndërkohë ekipi po këndellet dhe shpejt pritet që të konsolidohet edhe me lojtarë, derisa që tash dihet se i ka humbur kryesorët e stinorit të kaluar, vendorët Mikaile Tmusic dhe Altin Morina, të cilët janë zyrtarizuar nga rivali i përbetuar, Sigal Prishtina.
Tashmë nga ekipet kosovare në sektorin e sanksioneve për transfere ndërkombëtare figuron vetëm KB Peja.