DE BIASI
Në Armeni, vetëm fitore
10 October, 2015 @19:47
Sot në ora 18:00 përzgjedhësi i kuqezinjëve, Gianni De Biasi, së bashku me kapitenin Lorik Cana dhe menaxherin e skuadrës, Alban Bushi, kanë mbajtur konferencë për media.
“Nëse përpara shortit do t’i kisha thënë popullit shqiptar që një ndeshje nga fundi, do të kemi shansin që në rast fitoreje do të kualifikohemi, ata do të më merrnin për budalla. Sot 24 orë përpara ndeshjes, ne e kemi këtë mundësi dhe tashmë ky është një realitet,” tha në fillim tekniku italian.
Më tej, De Biasi foli edhe për kundërshtarin, të cilin e lëvdoi duke thënë se është një skuadër mjaft e mirë.
“E kam komplimentuar edhe në Elbasan Armeninë, pas përfundimit të ndeshjes, sepse realisht është një skuadër mjaft e mirë.”
Në fund, duke u treguar i vendosur për formacionin me të cilin do të dal nesër në fushë, por duke mos dashur të jep detaje në lidhje me të, De Biasi tha: “Do të ishte bukur që të festonim këtu në vendin tuaj për të treguar këtu se edhe një vend i vogël mund t’ia dalë. Për fat të keq në dy ndeshjet e fundit humbëm shansin për të ardhur në Armeni të kualifikuar. Shpresojmë ta bëjmë nesër këtë dhe kemi shumë mundësi që ta bëjmë nesër. Shpresonim shumë të kishim rezultat të mirë, por në minutat e fundit planet na u prishën. Kemi aq shumë dëshirë të realizojmë ëndrrën tonë. Realisht jemi shumë të karikuar për të luftuar për fitore nesër.”
Shqipëria nesër do të përballet me Armeninë, dhe për kualifikim në Europian i duhet fitorja patjetër.