KOSOVA - GUINEA EKUATORIALE
Loja më e mirë, fitorja më e thellë
10 October, 2015 @16:32
Reshjet e shiut në stadiumin e qytetit në Prishtinë, e kanë vështirësuar tej mase lojën për të dyja skuadrat, mirëpo kjo nuk i ka penguar përfaqësueses së Kosovës që të shënojë fitore të merituar ndaj Guinesë Ekuatoriale, të cilën e mposhti me rezultat 2-0.
Kosovarët qysh në rastin e parë arritën ta mposhtin portierin mysafir, kur në minutën e dytë mesfushori ofansiv, Mërgim Brahimi, shënoi një gol të bukur me goditje brenda zonës së rreptësisë.
Ky gol sikur ishte shenjë për dominimin e plotë në ndeshje të përzgjedhurve të Albert Bunjakut, të cilët tregoheshin të rrezikshëm në disa raste sidomos me Bernard Berishën e disponuar dhe sulmuesin Erton Fejzullahu.
Punët u lehtësuan edhe më shumë kur gjyqtari kryesor i ndeshjes e ndëshkoi me karton të kuq futbollistin guinean, i cili ndërhyri ashpër nga prapa ndaj Fejzullahut, pak minuta para përfundimit të pjesës së parë.
Me të filluar pjesa e dytë, përsëri në minutën e dytë doli Mërgim Brahimi në skenë, i cili pas asistimit të bukur në mesin e fushës mbetet ballëpërballë me portierin kundërshtar, ku me një goditje klasi tregohet i pagabueshëm.
Më pas ndërimet e shpeshta të përzgjedhësit Albert Bunjaku, paksa e ngadalësuan tempon e lojës, megjithëse rastet përsëri nuk munguan.
Nga minuta 76’ edhe Kosova mbeti me një lojtar, pas ndëshkimit me karton të kuq të Liridon Krasniqit.
Deri në fund nuk kishte më gola dhe përfaqësuesja e Kosovës arriti fitore të merituar duke e mposhtur Guinenë Ekuatoriale me rezultat 2-0.