PREJ BRAZILI NË RUSI

BOROZANI/D.S.
Ngritja dhe rënia e kombëtareve para Botërorit të radhës
Shkruan: Dren Shporta
24 July, 2015 @14:17
Tashmë të gjithë e dimë ngritjen e madhe që e bëri Shqipëria para shortit për Botërorin 2018 në Rusi. Mirëpo, para shortit të nesërm, është mirë të shikohet si kanë shënuar ngritje dhe rënie kombëtaret e ndryshme europiane përmes tabelave, para Brazilit 2014 dhe Rusisë 2018.
Ngritje për 33 pozita
Shqipëria para shortit për Brazili 2014 ka qenë në vazon e katërt si e 59-ta në renditjen e FIFA-së, ndërsa sot para Rusisë 2018 është në vazon e tretë si vend i 36-të të renditjen e përgjithshme.
Nga vazoja e tretë në Botëror
Gjëja që jep edhe më shumë optimizëm është se herën e kaluar, Zvicra, Bosnja dhe Belgjika - kanë siguruar Botërorin nga vazoja e tretë. Pra një gjë e tillë nuk është e pamundur, edhe pse e vështirë.
Në Botëror kualifikohen 13 reprezentacione nga Europa dhe për ironi, vetëm kryesuesja e grupit tonë të atëhershëm Norvegjia nuk ka arritur Botërorin nga vazoja e parë. Sot Norvegjia është në vazon e katërt, nën Shqipërinë, ndërsa vetëm 4 vite më parë ka qenë në vazon e parë kur kishte qenë rivalja e grupit për kualifikim.
Rëniet dhe ngritja ekstreme e Uellsit
Rënie të theksuar ka shënuar edhe Greqia, që nga vazoja e parë ka rënë në të tretën. Pastaj Turqia nga e dyta në të katërtën. Derisa ekstremin e ka arritur Uellsi, që nga vazoja e gjashtë para Brazilit 2014 ka arritur në vazon e parë para Rusisë 2018 - një ngritje enorme e përfaqësuesja e ishullit britanik.
Ngritje të madhe ka regjistruar edhe ish rivali i Shqipërisë për Brazili 2014, Islanda. Kundërshtari që kishte mposhtur kombëtaren kuqezi në dy ndeshje gjatë kualifikimeve për Brazili 2014, kishte ardh në grupin me Shqipërinë nga vazoja e gjashtë, ndërsa sot gjindet në vazon e dytë dhe potencialisht përsëri mund të jetë kundërshtar i kuqezinjëve.
Përfaqësueset ‘gjithmonë’ të forta thuajse s’kanë lëvizur fare, hiq ndonjërën nga vazoja e parë në të dytën dhe anasjelltas, si puna e Italisë.
Shorti dhe kush shkon tutje
Për krahasimet tjera, shikoni fotografitë në artikull të të gjitha përfaqësueseve europiane, në cilën vazo kanë qëndruar para Brazilit 2014 dhe si qëndrojnë para Rusisë 2018, shorti i së cilës tërhiqet nesër në ora 17:00 në Shën Petersburg të Rusisë.
Pasi që të tërhiqet shorti, do të dihen nëntë grupet kualifikuese për Rusia 2018, ku vendet e para sigurojnë kualifikimin, ndërsa tetë vendet e dyta më të mira, do të luajnë në barazh për të përcaktuar edhe 4 përfaqësueset tjera që do të bëjnë numrin total 13 të europianëve në Botëror. Rusia nuk merr pjesë në short dhe kualifikohet direkt si organizatore, për të bërë numrin komplet të 14 përfaqësueseve europiane në Botëror, nga 32 sa do të jenë në total nga e mbarë bota.