FEDERATA
Organizim perfekt, humbëm betejën
9 October, 2015 @11:29
Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë me një komunikatë për shtyp pas ndeshjes me Serbinë ku thelbi janë falenderimet për të gjithë ata që kontribuan në mbarëvajtjen e ndeshjes pa incidente, por padyshim edhe një thirrje për tifozët që të ngrenë kokën lart dhe të mbështesin Kombëtaren në betejat e rradhës. Fillimisht institucioni i futbollit shqiptar falenderon opinionin publik, tifozët brenda dhe jashtë Shqipërisë, organet shtetërore që ndikuan në mbarëvajtjen e takimit si policinë, organet e inteligjencës dhe Gardën e republikës, duke evidentuar faktin se asnjë incident nuk ndodhi në Elbasan dhe kjo meriton vlerësimin maksimal.
Federata thekson se jo rastësisht lë në fund në listën e falenderimive tifozët e mrekullueshëm shqiptarë që kanë mbështetur dhe si i kanë qëndruar pranë skuadrës në këto eleminatore, dhe ishin fantastikë edhe në ndeshjen me Serbinë për vetë mënyrën si performuan me ndërtimin e koreografive duke sakrifikuar për të mbeshtetur skuadrën. Në komunikatën e saj FSHF shpreh keqardhjen që skuadra nuk arriti të kënaqë tifozët ndaj të cilëve ndihet në borxh por thekson se Shqipëria ka humbur një betejë, por lufta vazhdon dhe ne nuk do të dorëzohemi kurrë, ndërsa evidenton edhe faktin se Shqipëria fitoi një betejë tjetër atë të qytetarisë dhe demonstrimit të vlerave më të mira, të cilat triumfuan mbi gjithcka tjetër dhe kjo duhet të na bejë krenarë.