IZRAELI - KOSOVA
Pa fitues në Izrael, Kosova e nis me një pikë
25 March, 2023 @19:54
Në Tel-Aviv të Izraelit, sonte Kosova i filloi garat kualifikuese për Evropianin 2024, që do të mbahet në Gjermani.
Ndaj Izraelit vendas, Kosova barazoi me rezultat 1-1, për ta marrë kështu pikën e parë në grupin I kualifikues, ku ndodhen edhe Zvicra, Rumania, Andorra dhe Bjellorusia.
Ndonëse pa shumë raste konkrete për shënim, pjesa e parë kaloi me Kosovën nën presion nga Izraeli i rreshtuar lart që nga fillimi i takimit. Të pamposhtur në 7 ndeshjet e fundit në shtëpi, izraelitët e udhëhequr nga Solomon ishin më kërkues gjatë pjesës së parë, kjo edhe falë mungesës së kualitetit në mesfushën e Kosovës, por megjithatë punë për Aro Muricin nuk është se kishte shumë.
Gjithsesi, golin e vetëm në pjesën e parë e gjeti Kosova. Pas një gabimi të mbrojtjes vendase, Vedat Muriqi pasoi te Milot Rashica, krosimin e të cilit e devijoi në rrjetë Dasa i Izraelit dhe kështu Kosova kaloi në epërsi 0-1 (36’), rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Për fatin e mirë të Kosovës, futbollisti më i mirë i Izraelit, Solomon, shpërdoroi një rast të artë për ta barazuar rezultatin në minutën e 40’. Përveç këtij rasti, për Izraelin vlen të përmendet edhe rasti i minutës së 25’, kur Weissmann gjuajti mbi portë prej rreth 10 metrave.
Pjesa e dytë filloi mirë për Kosovën, që shënoi shumë shpejt për 0-2 përmes Rashicës, por fatkeqsisht goli u anulua nga VAR-i pasi që këmbëshpejti vushtrrias luajti me dorë gjatë pranimit të topit.
Më pas, izraelitët u kundërpërgjigjen në krahun tjetër. Pas një gabimi të Dresheviq në mesfushë, Peretz i vendasve barazoi në 1-1 në minutën e 56’.
Në vazhdim të ndeshjes, Kosova u mbajt mirë për të mos pesuar më, ndërkohë në fazën sulmuese rastin më të mirë për shënim e pati Milot Rashica krejt në fund të ndeshjes, gjuajtja e të cilit nga shumë pak metra përfundoi lart mbi portë, e para tij rast mjaft të mirë pati edhe Arbër Zeneli i inkuadruar nga banka rezervë, i cili gjuajti shumë pranë portës.
Në fund, ndeshja u mbyll me rezultat 1-1, rezultat që mund të konsiderohet pozitiv marrë parasysh të gjitha rrethanat.
Ndeshjen e ardhshme në grupin kualifikues Kosova e luan ndaj Andorrës në Prishtinë pas 3 ditëve.