GRUPI D: FRANCA - AUSTRALIA
Pak lëkundje, për të treguar fuqinë prej kampioni
22 November, 2022 @22:00
Kampionja aktuale e Botës, Franca, vetëm duhet të harrojë 15 minutat e para të ndeshjes së sontme ndaj Australisë, për të qenë plotësisht e kënaqur me paraqitjen dhe organizimin e skuadrës.
Pos një lëndimi të Lucas Hernandezit që mund ta brengos Didier Deschampsin, Franca ka vazhduar tutje shpejt për tu këndellur dhe për të fituar kengurët me rezultat të thellë, Franca 4-1 Australia [Adrien Rabiot 27, Olivier Giroud 32, 71, Kylian Mbappe 68 - Craig Goodwin 9].
Ka qenë Rabiot që ka ndezur Francën, kur shënoi me kokë për epërsi, e shpejt edhe asistoi për golin e parë të Giroudit në ndeshje. Më pas, Giroud shënoi edhe një gol në pjesë të dytë, për tu barazuar me Thierry Henrynë në krye të listës së golashënuesve në histori të Francës dhe tashmë sulmuesi i Milanit duhet të shënojë edhe një, për tu bërë rekorder i gjelave me gola.
Kylian Mbappe që aq shumë e dëshiroi golin, e arriti me kokë, pas një krosimi preciz të Ousmane Dembelesë, ku ky i fundit ka qenë i qetë sot në akcione, por punëtor në pjesën e tij të fushës.
Stabiliteti i mesfushës së Francës me Rabiotin dhe Aurelien Tchouamenin, së paku sonte nuk dha brenga fare, përkundër mungesës së dyshes Paul Pogba e Ngolo Kante në Botëror, ndërsa në fund Deschamps i dha mundësi edhe dyshes Marcus Thuram e Jules Kounde, që të shijojnë minuta të Kampionatit Botëror.