Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

ZVICRA - KOSOVA

Paraqitje shumë e mirë, Kosova barazon ndaj Zvicrës në Cyrih

Foto: FFK

Paraqitje shumë e mirë, Kosova barazon ndaj Zvicrës në Cyrih


29 March, 2022 @19:52

Pas fitores bindëse në miqësoren ndaj Burkina Fasos në Prishtinë, Kosova sonte në Cyrih e zhvilloi një miqësore ndaj Zvicrës.

Në këtë takim, të dytin nën drejtimin e Alain Giresse, Kosova zhvilloi paraqitje mjaft të mirë dhe në fund barazoi 1-1. Duke marrë parasysh që Zvicra për momentin është në vendin e 14 në renditjen botërore të FIFA-së dhe forma e saj së fundi është shumë e mirë, për Kosovën rezultati dhe paraqitja e sotme janë më se të kënaqshme.

Rasti i parë serioz në ndeshje u shfaq në minutën e 32’ për Valon Berishën, goditjen e fortë të të cilit e priti portieri zvicran.

Rreth 6 minuta më vonë, erdhi rasti i parë serioz për Zvicrën, por Aro Muriq reagoi mirë dhe nuk lejoi që të pësohet goli. Pak para fundit të pjesës së parë, Muriq priti edhe një goditje të Xherdan Shaqirit, për t’i lënë portat e paprekura pas 45 minutave.

FORMACIONET STARTUESE

Pjesa e dytë startoi shumë mirë për Kosovën.

Në minutën e 52’, Milot Rashica, i shërbyer nga Zymer Bytyqi pas një gabimi të mesfushës zvicrane, shënoi për 0-1. Ky gol u përcoll me brohoritje të mëdha në stadiumin Letzigrund, ku përkrahja për Kosovën sonte nuk mungoi.

Megjithatë, gëzimi i Kosovës nuk zgjati shumë. Jordan Lotomba i Zvicrës në minutën e 61’ të ndeshjes arriti ta çojë topin në rrjetë për 1-1, gol që erdhi pas një topi të ardhur nga krahu i djathtë. Fajtor në golin e pësuar mund të cilësohet Aro Muriq, dalja e të cilit në këtë rast ishte e panevojshme.

Në pjesën e mbetur të ndeshjes, të dyja skuadrat bënë plot zëvendësime dhe loja ishte më e mirë se në pjesën e parë, por asnjëra prej tyre nuk e gjeti golin e dytë dhe ndeshja u mbyll me barazim 1-1.

Rast për t’u përmendur për Kosovën rreth 20 minuta para fundit pati Ibrahim Dresheviq, i inkuadruar nga banka rezervë, goditjen e të cilit e priti me mjaft mund portieri i Zvicrës.

Sa për kuriozitet, i pranishëm për ta shikuar këtë ndeshje në stadium ishte edhe Bernard Challandes, ish-përzgjedhësi i Kosovës.

Kujtojmë që në qershor Kosova e fillon aventurën e saj të re në Ligën e Kombeve, ku ndeshjen e parë e luan si mysafire e Qipros më 2 qershor.


 
Të gjitha lajmet nga Kosova