Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVA - BURKINA FASO

Giresse nis me goleadë, Kosova demolon Burkina Fason

Foto: FFK

Giresse nis me goleadë, Kosova demolon Burkina Fason


24 March, 2022 @19:51

Paraqitje fantastike dhe fitore e thellë për Kosovën në ndeshjen e parë nën drejtimin e francezit Alain Giresse.

Ndaj Burkina Fasos, vendit të 56 në renditjen e FIFA-së dhe gjithashtu gjysmëfinalistes së Kupës së Afrikës që u mbajt në fillim të këtij viti, Kosova sonte fitoi me rezultat të thellë 5-0 [Fidan Aliti 3, Astrit Selmani 23, Mwrgim Vojvoda 53, Milot Rashica 68, Toni Domgjoni 75].

Te përfaqësuesja afrikane sonte munguan 3-4 lojtarë kryesorë, në mesin e tyre edhe Bertrand Traore i Aston Villës, ndërkohë që edhe Kosova i pati mungesat e saj.

Ndeshja e Kosovës filloi për mrekulli. Një krosim mjaft të mirë të Edon Zhegrovës nga krahu i majtë, në minutën e katërt të ndeshjes e çoi në rrjetë mjeshtërisht Fidan Aliti me të majtën. Ky ishte goli i parë i Alitit me fanellën e Kosovës dhe njëkohësisht i pari për Kosovën në “epokën Giresse”.

Loja e mirë e Kosovës vazhdoi edhe më tutje. Në minutën e 23’, golin e parë me fanellën e Kosovës e gjeti edhe Astrit Selmani, që u shërbye nga Milot Rashica dhe me një goditje fenomenale shënoi për 2-0, e me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Duhet përmendur që pjesë të parë fantastike individuale pati Edon Zhegrova, ndërkohë që edhe Samir Ujkani u tregua i vëmendshëm në ato pak raste që mysafirët e Burkina Fasos patën.

Gjatë pjesë së dytë Kosova shënoi edhe tri herë të tjera. Në minutën e 52’, Mërgim Vojvoda i shërbyer nga Milot Rashica shënoi për 3-0, e 10 minuta më vonë Samir Ujkani e priti një penallti, për ta mbajtur portën e Kosovës të paprekur dhe për ta kompletuar një prej paraqitjeve të tij personale më të mira me fanellën e Kosovës.

Për 4-0 shënoi Milot Rashica (68’) e për rezultatin përfundimtar 5-0 realizoi Toni Domgjoni (75’).

Sa i përket paraqitjeve individuale sonte, Edon Zhegrova, Milot Rashica e Ibrahim Dresheviq ishin për t’u veçuar, bashkë me komplet fazën mbrojtëse të Kosovës.

Kështu, Kosova miqësoren e parë të marsit dhe ndeshjen debutuese të francezit Giresse e mbyllë me fitore bindëse, e miqësoren e dytë të këtij muaji Kosova e zhvillon më 29 mars në Cyrih ndaj Zvicrës.


 
Të gjitha lajmet nga Kosova