FITORE E GJILANASVE
Penalltia vendos, Gjilani del mbi Lirinë
27 September, 2023 @21:22
Në një ndeshje shterpe sa i përket aksioneve dhe mundësive për të shënuar gol, Gjilani ka arritur fitore jashtëzakonisht të rëndësishme ndaj Lirisë sot, duke e mposhtur ekipin prizrenas me rezultat minimal, Gjilani 1-0 Liria [Edi Basha 55’pen.].
Një tentim parabolle nga Prins Tjiueza, nëse mund të konsiderohet si rast dhe një goditje e fortë e Edi Bashës nga Gjilani, që u ndalë nga transversalja - ishte e tëra nga pjesa e parë pa gola.
Në duel, për të larguar topin në tollovi, lojtari i Lirisë ka prekur topin me dorë, që gjyqtari e vërteton me VAR - dhe penalltinë e shndërron në gol Basha. Festa e ekipit të Mezanit fillon, ndërsa Liria nuk arrin të koordinojë sulmet.
Gjilani më pas fitoi edhe një penallti, pasi që Siyabonga Dube merr karton të kuq, duke ndalë në zonë tentimin për gol të vendasve - por Oltion Bilalli gjuan lartë mbi portën e Arlis Shalës. Liria shpëton dhe provon edhe njëherë barazimin, por me gjysmëraste jokonkrete për më shumë dhe pëson për të dytën ndeshje radhazi. Në fund edhe Gjilani mbeti me 10 lojtarë kur sulmuesi Nasko Mliev ndali lojtarin e Lirisë në kundërsulm, për karton të kuq.
Gjilani me fitore ngritet mbi Lirinë në tabelë dhe merr pozitën e gjashtë me 7 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa Liria pas shtatë ndeshjeshh ka 6 pikë dhe është në pozitë të shtatë aktualisht.