Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PLAY OUT: FERIZAJ - LIRIA

Penalltitë vendosin, Liria rikthehet në Superligë!

TOPSPORTI / D.SH

Penalltitë vendosin, Liria rikthehet në Superligë!


4 June, 2023 @17:49

Në “Zahir Pajaziti” të Podujevës, ku fusha ishte në gjendje fantastike dhe të dyja tifozëritë dhuruan atmosferë fantastike, duelin e barazhit mes Ferizajit dhe Lirisë e fitoi Liria pas penalltive.

Kështu, Liria tashmë rikthehet në Superligë për herë të parë që nga sezoni 2018/2019, e Ferizaj bie në Ligë të Parë.

Pjesa e parë e mbyll pa gola. Gjatë saj më dominues ishte ekipi i Ferizajit, por raste shumë konkrete për shënim nuk kishte. Ato pak raste që u shfaqën, nuk ishin problematike për portierin Hodaj të mysafirëve.

Në anën tjetër, Prins Tijueza i Lirisë u lëndua dhe u largua nga loja në minutën e 27’, mungesë që ra në sy dukshëm te prizrenasit në vazhdim të ndeshjes.

Pjesa e dytë gjithashtu u mbyll pa gola dhe Ferizaj përsëri ishte më dominues, por prizrenasit filluan të rrezikonin më tepër, për dallim nga pjesa e parë. 

Krahas rasteve të Ferizajit, rastin më të mirë në pjesën e dytë e pati Liridon Fetahaj i Lirisë krejt në fund të takimit, por supergoditja e tij u prit nga Jovanovski, portieri i Ferizajit. Kështu, ndeshja shkoi në vazhdime, 0-0 pas 90 minutave.

Në dy shtesat prej 15 minutave, Ferizaj ishte më kërkues, por golin shumë lehtë mund ta kishte gjetur Liria. Përsëri shpëtimtar i Ferizajit ishte portieri Jovanovski në një rast në mesin e shtesës së dytë, kur reagoi për mrekulli para sulmuesit prizrenas dhe e shpëtoi portën e tij.

Ndërkohë, pak para këtij rasti, Ferizaj shënoi përmes Ergon Hysenit, por goli u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje.

Pas 120 minutave pa gola, fituesi u detyrua të përcaktohej pas penalltive, ku më e suksesshme u tregua Liria.

Astrit Fazliu dhe Betim Haxhimusa, që të dy me shumë përvojë, ishin të pasaktë në dy penalltitë e para të Ferizajit, e më pas dështoi edhe Kenan Orana në penalltinë e tretë. Dy nga këto penallti u pritën nga Drilon Hodaj, portieri i Lirisë.

Në anën tjetër, Blendi Memaj, Ardit Topallaj dhe Dardan Jashari shënuan për Lirinë dhe kështu penalltitë i fituan prizrenasit. I vetmi që dështoi te Liria nga pika e bardhë ishte Astrit Berisha (penalltia e dytë).

Kjo ishte hera e tretë në vitet e fundit që Ferizaj shkon në penallti në ndeshje të barazhit. Dy prej këtyre rasteve Ferizaj është mposhtur (ndaj Lirisë e Vllaznisë), e një herë ka fituar (ndaj Vëllaznimit).


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga