OPINION
Për “ekspertët” e sportit
Shkruan: LEART HOXHA
27 June, 2017 @7:49
Kur iu tregova dy shokëve të mi se dua të shkruaj diçka për futboll dhe për debatin e polemikat rreth selektorit Albert Bunjaki, ishin pak skeptikë. E dinin mirë që futbollin jo që nuk e kam sport të preferuar, por zor se shikoj ndeshje kur nuk paguhem për atë punë.
Sidoqoftë, ajo që “ekspertët“ e sportit po pohojnë publikisht kohëve të fundit nuk më lë indiferent.
E thash edhe në hyrje të shkrimit dhe po e përsëris se njohuritë në futboll i kam të kufizuara, por nga njohuritë modeste dhe përvoja jo krejt modeste në menaxhim të sportit, mund ti nxjerr tri përfundime.
I pari – asnjë trajner i listës “A” në Evropë nuk e merr përsipër udhëheqjen e kombëtares së Kosovës! Nuk ka Kosova as kushte, as lojtarë, as para, as përvojë, as infrastrukturë, as njerëz, as federatë dhe asgjë tjetër të nivelit të denjë për listë “A”.
I dyti – asnjë trajner i listës “B” me potencial të ngjitet në listën “A” nuk e merr përsipër udhëheqjen e kombëtares së Kosovës në futboll. Ka disa trajnerë që nëse e marrin këtë punë, mund ti pasurojnë xhirollogaritë bankare, por në asnjë mënyrë, kusht ose rrethanë nuk mund ta pasurojnë CV-në e tyre dhe nuk mund të lansohen në top ligat e Evropës nga kombëtarja e Kosovës.
Kushdo që nuk pajtohet me këto dy konstatime, ka dallime konceptuale me mua dhe mos të vazhdojë ta lexojë shkrimin sepse nuk më duhet si lexues!
I treti – Sa për trajner që gjendet në pjesën e poshtme të listës “B” ose në listën “C” të Evropës, Albert Bunjaki është ndër opsionet më të mira të mundshme, sepse edhe ashtu ndërmjet opsioneve nuk ka shumë dallim.
Sa për sqarim, trajnerët e Kosovës, nuk mendoj që janë në asnjë listë ose në hartë të futbollit evropian fare. E njëjta vlen për futbollistë dhe këtë punë do ta marrim vesh shumë shpejt.
Por, debati për selektorin e kombëtares së futbollit më ktheu në një temë me të cilën gjatë jam marrë dhe kam dëgjuar “opinione ekspertësh”, por disi kam hezituar të shkruaj publikisht – selektorin e basketbollit dhe idetë për kombëtare e basketboll në përgjithësi.
Është një grup i njerëzve të cilët mund ti shohësh bashkë në dy vende: në një restorant në qendër të Prishtinës dhe në një studio të një televizioni kabllor. Ka dy arsye pse këta njerëz rrinë në këto dy vende – sistemi i kollapsuar i shëndetësisë në Kosovë dhe mungesa totale e shtëpive për të moshuarit në vendin tonë.
Këta “ekspertë” përtej shkrimeve në facebook, ku shihet qartë niveli i tyre gjuhësor, kulturor e sportiv, asnjëherë nuk kanë shkruar diçka që ia vlen të shqyrtohet seriozisht, mirëpo, kjo nuk i ka penguar që të na kritikojnë pse trajnerëve vendorë nuk u japim shansin.
Kur kemi vendosur që të emërojmë Arben Krasniqin si selektor, i kemi pasur parasysh dy – tre faktorë të rëndësishëm. Ai është trajneri më i mirë që e ka pasur Kosova ndonjëherë, është trajner i nivelit solid edhe për treg më të gjerë se Kosova, i njeh lojtarët vendorë dhe mbi të gjitha – nuk kemi dashur që në kualifikimet e para ndërkombëtare të emërojmë trajner të huaj sepse sinqerisht kemi besuar dhe besojmë në potencialin vendor.
Të merremi vesh – i kemi humbë të gjitha ndeshjet në kualifikime për Eurobasket 2017, por jam krenar për secilin moment që e kam kaluar në bashkëpunim me Arben Krasniqin dhe nuk pendohem pse e kam përkrahur.
Por, kur dështuam në kualifikime me Arbenin, flisnin pse nuk ka trajnerë vendorë në ligë. Kur Sigal Prishtinën e mori Andin Rashica thonin se “ai është i ri dhe i pa provuar”. Vërejtje kishin edhe kur Sigalin e udhëhiqnin Fikret Shatri e Albert Sylejmani – së bashku mbi dy dekada stazh si ndihmës trajnerë.
Me fjalë tjera, këtyre u pengon gjithçka dhe asgjë nuk u bie tamam.
Seriozisht, jam lodhur shumë nga njerëzit të cilët nuk kanë lidhje me treg evropian të sportit sepse nuk kanë qasje në informata dhe nuk dinë gjuhë të huaja, nga njerëzit të cilët iu flasin fëmijëve të lindur pas luftës se i kanë shënuar gola e kosha në Çaçak e në Valjevë, vende këto që ata duhet ti kërkojnë në google maps, por këso kopallash nuk mund të na shesin neve që pak marrim vesh në histori të sportit, nga njerëz të cilët kanë marrin dhjetëra mijëra euro në vit nga fëmijët që vijojnë shkollat e tyre private dhe asnjë prej tyre nuk del sportist cilësor, nga njerëz të cilët bashkëlojtarët e tyre nuk ua japin besimin që të bashkëpunojnë sepse i trajtojnë si padijshëm.
Kemi shumë nevojë për njerëz të dijshëm dhe ide kreative dhe nëse dikush ka të tilla, le të më lajmërojë. Nëse jo, le ta dinë që karvani ecë!
i:
Opinionet nuk paraqesin qëndrimin e redaksisë. Opinionet dërgohen në [email protected] |