ANALIZË
Analizat verore – Manchester United
Shkruan: LUAN MORINA
26 June, 2017 @12:57
Arsyeja kryesore për barazimet e shumta të Manchester United sezonin e kaluar ishte Zlatan Ibrahimovic!
Lëreni numrat e golave, lëreni golat mënjanë. Zlatan Ibrahimovic ka lënduar Manchester Unitedin më shumë se kushdo tjetër sezonin e kaluar!
Të bazohesh në vetëm një 35 vjeçar dhe të luftosh në katër frone deri në fund është çmenduri! Dhe kjo i ka ngjarë Manchester United, derisa Mourinho çdo javë provonte të gjente kombinime që do të funksionin duke konservuar sa më shumë nga energjia e ekipit. Më çmenduri se kjo është që për zëvendësues të këtij 35 vjeçari të kesh një 18 vjeçar me talent të limituar për të qenë qendërsulmues i një ekipi si Manchester United.
Kur jemi tek Manchester Untied, nuk ka emër që nuk lidhet me ta, dhe sigurisht me çmime trefish të fryra, çmime të cilat nuk hezitojnë t’i paguajnë.
Porta
Me De Gean, falë makinës së faksit, porta e United është e sigurt. Largimi i tij duket pak i mundshëm, por edhe po të ndodhte do të furnizonte mjaft për zëvendësuesin e tij eventual, i cili duhej të ishte slloven. Në mos Oblak, edhe Handanovic do të mund të nxirrte një Van der Saar.
Mbrojtja
Me Lindelof, qendërmbrojtja duket e mbuluar. Smalling, Rojo, e Jones mund të kryejnë punë si rezervistë. Edhe Blind do të mund të zhvendosej sipas nevojës, edhe pse me Mourinhon ka qenë shumë më i dobët se sa me Van Gaal në këtë pozitë. Shaw do të ecën, dhe nuk di për ç’arsye!
Ngjashëm duket se do të ngjaj edhe me Darmian. E Valencia ka qenë ndër më të mirët sezonin e kaluar tek United. Nga një shtesë në të dy krahët do të duhej të ishte në plan për United.
Mesfusha
Herrera, Pogba e Fellaini. Ndoshta mjaftojnë. Por, një emër tjetër – Fabinho apo Matic do të ishte i përkryer. Sidomos braziliani që mund të luaj edhe mbrojtës krahu sipas nevojës. Me Mkhitaryan e Matan pjesa ofensive e mesfushës është mirë e mbuluar. Por, krahët nuk janë kërkah.
Ronaldo përmendet si emër. Edhe Bale. Për cilindo nga këta, Manchester United duhet të paguaj më tepër se që meritojnë. Por, këtu mund të kryej punë edhe Martial. Në fakt francezi më i mirë duket në sulm nga krahu se nga qendra. Nga ata që kanë vetëm Jesse Lingard mbetet me largimin e Januzajt. Por, Lingard është vetëm një Kieran Richardson tjetër.
Sulmi
Vetëm ardhja e Perisic nuk mjafton. Duhen së paku dy krahë sulmi. Dhe kuptohet një qendërsulmues. Morata përmendet si alternativa e parë. Belotti është përmend shumë herë. Por, duke parë muhabetin e mirë me Raiolan, do të prisja Lukakun në rast të dështimit eventual të Moratës.
Qyshdoqoftë, tek Manchester United ka nevojë të mbyllen shumë vrima. Së paku edhe pesë ardhje të reja nevojiten që të konkurrojnë për treshen e parë. Përndryshe vazhdojnë me luftën për pozitën e katërt.