SHQIP NË BOTË
Nga rrugët e Gjakovës në Champions League!
23 June, 2017 @17:12
Përkundër shumë arritjeve të ndryshme gjatë karrierës së tyre, viti 2017 ka qenë një vit i veçantë për dyshen gjakovare Besnik Hasi e Bekim Bytyqi.
Dy shokët e fëmijërisë, të rritur duke luajtur futboll bashkë nëpër rrugët e Gjakovës, pas largimit nga Kosova, fillimisht ishin bashkë në Belgjikë si lojtarë, njëri në futsall e tjetri në futboll, ndërsa tash që të dy kanë kaluar në rolin e trajnerit në sportet përkatëse dhe që të dy do të jenë pjesë e garave elitare evropiane në sezonin që po vjen. Bytyqi do ta drejtojë Liburnin në UEFA Futsal Cup, derisa Besnik Hasi do ta drejtojë Olympiacosin në Champions League, aty ku Hasi veçse ka krijuar përvojë me Anderlechtin si lojtar e trajner e gjithashtu edhe me Legian e Varshavës si trajner edicionin e kaluar.
Sa i përket arritjeve përkatëse, në një prononcim për Borozani.com Bytyqi u shpreh i lumtur që ai dhe shoku i tij i fëmijërisë e kanë shkruar historinë për qytetin e Gjakovës, duke qenë të parët nga ky qytet që drejtojnë skuadra në nivele të larta të futbollit botëror.