PRISHTINË
Për rezultat pozitiv
28 October, 2015 @18:23
Trajneri i ri i Prishtinës, Sami Sermaxhaj, ditë më parë kishte deklaruar se skuadra e tij do të udhëtojë për rezultat pozitiv në Rexhep Rexhpi në përballje ndaj Ferronikelit.
“Do të jetë sfidë e vështirë. Ferronikeli është shumë më i komponuar se Gjilani. Ata luajnë qe dy vite bashkë, por sikurse në Gjilan, edhe atje do të udhëtojmë për rezultat pozitiv,” ka thënë Sermaxhaj për faqen zyrtare të Prishtinës.
Prishtina do të udhëtojë të shtunën në Drenas për tu përballur me kampionin aktual. Në përballjen e parë të stinorit, Ferronikeli kishte mposhtur Prishtinën në kryeqytet me rezultat minimal 0-1. Golin e vetëm për Ferronikelin në këtë përballje e kishte shënuar sulmuesi gjakovar i tyre, Mevlan Zeka.
Ferronikeli është lider në Superligë, derisa Prishtina është e parafundit aktualisht. Trajneri Sermaxhaj debutoi me barazim ndaj Gjilanit xhiron që shkoi, prej se u largua trajneri Ramiz Krasniqi.