SHQIPËRI - POLONI
Polonia fiton në Tiranë, shuhen shpresat për Botëror
12 October, 2021 @23:05
Ëndrra e të gjithë shqiptarëve për Play Off-in e Botërorit do të realizohet ndonjëherë tjetër.
Në ndeshjen jetike në luftën për ta zënë vendin e dytë, Shqipëria u mposht 0-1 (K.Swiderski 77’) nga Polonia në Tiranë, për t’i shuar pothuajse plotësisht gjasat për arritjen e vendit të dytë. Nëse shohim ndeshjet e mbetura të grupit, vërejmë qartë që tashmë vetëm një mrekulli mund t’ia dhuronte Shqipërisë vendin e dytë.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola. Kjo pjesë kaloi me luftë të fortë fizike, e me pothuajse asnjë rast konkret për shënim për asnjërën skuadër. Rast konkret për shënim mund të kishte Shqipëria, sikur Manaj të pasonte te Uzuni në 10-minutëshin e parë të ndeshjes, por kjo nuk ndodhi dhe rasti kaloi pa rrezik për polakët.
GRUPET KUALIFIKUESE DHE ORARI I NDESHJEVE
Shumë raste konkrete për shënim nuk pati as në pjesën e dytë, e golin e vetëm të ndeshjes e gjetën polakët, që në minutën e 77’ shënuan përmes futbollistit Swiderski. Ky i fundit golin e gjeti pas një akcioni polak që erdhi pasi Shqipëria e humbi topin në gjysmëfushën e saj.
Kur shënoi Polonia në minutën e 77’, gjësende nga tifozët u hudhën drejt lojtarëve që po e festonin golin, e kjo bëri që ndeshja të ndërpritej për rreth 20 minuta.
Më pas, zyrtarët e ndeshjes vendosën që ndeshja të rifillojë. Gjithsesi, polakët e menaxhuan mirë epërsinë edhe pasi ndeshja rifilloi dhe ndeshja u mbyll me fitoren e polakëve 0-1. Me këtë fitore Polonia është shumë pranë sigurimit të fazës Play Off drejt Kampionatit Botëror të Katarit.
Siç pritej, te Shqipëria sonte ranë në sy mungesat e disa lojtarëve të formacionit bazë, sidomos ato të Klaus Gjasulës, Sokol Cikalleshit e Berat Gjimshitit.
Dy ndeshjet e fundit të këtij grupi kualifikues Shqipëria i luan muajin e ardhshëm. Më 12 nëntor do të jetë mysafire e Anglisë, e më pas më 15 nëntor e pret Andorrën.