PEJA - PONTE PRIZRENI
Ponte Prizreni nuk dorëzohet, finalisti përcaktohet në Prizren
2 May, 2021 @18:34
Ponte Prizreni nuk ka lejuar që finalisti i Play Off-it të përcaktohet nga “Karagaçi”.
Ekipi prizrenas ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në udhëtim, duke e mposhtur Pejën me rezultat 62-88, me ç‘rast rezultati i serisë gjysmëfinale të Play Off-it u barazua në 2-2.
Mysafirët, të motivuar edhe nga rikthimi i Josh Martinit nga lëndimi, e nisën shumë më mirë ndeshjen, duke e rritur ritmin pas 5 minutave të para, kur me shënime të sakta dhe kundërsulme të shpejta krijuan epërsinë e parë dyshifrore 16-27.
Pjesën e parë Ponte Prizreni e mbylli me plotë 15 pikë dallim, 34-49, derisa gjatë kësaj periudhe i disponuar u tregua Kwame Vaughn që shfaqi efikasitetin e tij.
Epërsia e prizrenasve u rrit graudalisht, duke kaluar edhe dallimin prej 20 pikëve, për t’ua mundësuar atyre fitoren pa vështirësi në fund.
Vaughn ishte koshashënuesi më i mirë i ndeshjes me 22 pikë, ndërsa kontribut të afërt te Ponte Prizreni dhanë edhe Divine Myles me 19 pikë dhe Landon Taliaferro me 18 pikë.
Në anën tjetër, te Peja nuk funksionoi asgjë, ndërsa kjo u paraqit edhe në statistikat individuale të lojtarëve. Dardan Berisha ishte koshashënuesi më i mirë me 13 pikë, ndërsa dy më pak pati qendra Brandon Walters.
Më keq se kjo humbje, për Pejën ishte lëndimi i AJ Walton, i cili u largua nga ndeshja edhe 5 minuta para fundit dhe tani mbetet e dyshimtë paraqitja e tij në ndeshjen e fundit të kësaj serie.
Seria do ta ketë ndeshjen e fundit që do të luhet të martën në Prizren, prej ku edhe do të përcaktohet finalisti nga kjo përballje gjysmëfinale.