DERBI I RADHËS

BOROZANI.COM/Arkiv
Prishtina-Bashkimi, sonte
12 December, 2012 @12:28
Derbi i xhiros së XII të Superligës në basketboll luhet sonte ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bashkimit.
Prishtinasit të cilët janë në formë të jashtëzakonshme duke regjistruar 10 fitore radhazi, në mesin e tyre me fitore edhe ndaj Pejës, janë të gatshëm t’i dalin ballë prizrenasve.
Me amerikanin Devan Downey, Sigal Prishtina duket e pamposhtëshme deri më tani. Ai ka shkëlqyer në ndeshjen e fundit derbi ndaj Trepçës, ndërsa sonte ekipi i Arben Krasniqit pret fitore prapë.
Në anën tjetër prizrenasit, të cilët i bënë ballë vetëm në dy çerekë të parë Pejës gjatë fundjavës, kërkojnë të tregojnë se do të mund t’i bëjnë ballë Prishtinës, ndaj së cilës nuk kanë shënuar fitore në ndeshje zyrtare që nga finalja e play-offit në vitin 2009, në kohën e Dante Gennie.
Peja pa problem ndaj Vëllaznimit
Në ndeshjen tjetër që luhet sot, Peja pret Vëllaznimin e Gjakovës. Pejanët të cilët u kthyen nga derbi me Bashkimin me një fitore të lehtë, nuk pritet të kenë problem ndaj Vëllaznimit sonte.
Ndërsa me fitore edhe ndaj Vëllaznimit, ekipi i Rudolf Jugos do të tregonte që është mbret, së paku ndaj klubeve të rrafshit të Dukagjinit.
Vëllaznimi, në anën tjetër, përkundër se ka dyshen e huaj mjaft të mirë, Denis Vrsaljko dhe Marcel Mihalic, nuk pritet që të shkaktojë ndonjë befasi ndaj të verdhëve të Pejës.
ORARI:
Sonte:
19:30 Sigal Prishtina - Sigkos Bashkimi
18:30 Peja - Vëllaznimi
Nesër:
18:00 RTV 21 - Trepça
18:00 Kosova - Drita