1/2: DRITA - PRISHTINA
Prishtina eliminon Dritën, arrin finalen e dytë radhazi!
24 April, 2024 @17:33
Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë në Lipjan, sot Drita e Prishtina e luajtën ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në Gjilan.
Ky takim u mbyll 0-0 pas 90 minutave lojë, e më e mirë pas vazhdimeve 30 minuta u tregua Prishtina, që e gjeti golin dhe kështu e fitoi takimin 0-1 (Albert Dabiqaj AG 111’), për të shkuar në finale të Kupës për herë të dytë me radhë.
Pjesa e parë ndonëse kaloi me luftë të fortë në mesfushë dhe me lojë të hapur nga të dyja skuadrat, u mbyll pa gola.
Për t’u përmendur nga kjo pjesë është zëvendësimi i Blerim Krasniqit, i cili në fund të pjesës së parë u detyrua të largohet nga loja për shkak të lëndimit, një lajm aspak i këndshëm për gjilanasit në pjesën më të rëndësishme të sezonit. Sot Krasniqi u zëvendësua nga Samson Ebuka.
Në pjesën e dytë më kërkuese ishte skuadra e Dritës, e prishtinasit duket se ishin të kënaqur edhe nëse ndeshja mbyllet me barazim e shkon në vazhdime, gjë që edhe ndodhi.
Pas 90 minutave lojë, njëjtë sikur ndeshja e parë, edhe ndeshja e sotme u mbyll 0-0 dhe skuadrat shkuan në vazhdime.
Vendimtar gjatë vazhdimeve ishte momenti i minutës së 111’, kur Albert Dabiqaj i Dritës e çoi topin në rrjetën e gabuar dhe rrjedhimisht Prishtina kaloi në epërsi minimale. Në minutat e mbetur të ndeshjes Prishtina u mbajt mirë dhe nuk pësoi gol, për ta mbyllur kështu ndeshjen me fitore dhe kualifikim.
Kujtojmë që Prishtina e kishte fituar Kupën e Kosovës edhe sezonin e kaluar, ku në finale fitonte ndaj Gjilanit, e këtë vit në finale Prishtina do të përballet me Ballkanin, që sot e eliminoi Suharekën.
Përveç trofeut, triumfi në Kupë për Prishtinën është i rëndësishëm edhe për faktin që mund të jetë rruga e vetme për dalje në garat evropiane sezonin e ardhshëm.