1/2: BALLKANI - SUHAREKA
Dygolëshi i Fitim Susurit s’mjafton, Ballkani në finale të Kupës!
24 April, 2024 @16:53
Pas fitores në ndeshjen e parë, Ballkani ka barazuar në ndeshjen kthyese gjysmëfinale ndaj Suharekës, mjaftueshëm për ta arritur kështu finalen e Kupës së Kosovës.
Ndaj rivalit nga i njëjti qytet Ballkani barazoi 2-2 (Gentrit Halili 10’, Nazmi Gripshi 73’ / Fitim Susuri 81’, 90+1’).
Pasi e gjeti golin në fundjavë ndaj Dritës, Gentrit Halili shënoi edhe sot për Ballkanin. Në minutën e dhjetë, Halili shënoi për 1-0 të Ballkanit, duke i dhënë qetësi të hershme skuadrës së Ilir Dajës.
Në vazhdim të pjesës së parë, më gola nuk pati dhe skuadrat shkuan në pushim pranë rezultatit 1-0.
Në pjesën e dytë, gol nuk pati deri në minutën e 73’, kur Nazmi Gripshi shënoi për 2-0, gol që u mendua se do t’i jepte fund dilemës për fituesin e ndeshjes. Sikur Halili, edhe Gripshi kishte shënuar në fundjavën që e lamë pas.
Megjithatë, Suhareka nuk u dorëzua dhe arriti ta barazojë rezultatin.
Në minutën e 81’, ishte prizrenasi Fitim Susuri ai që shënoi për 2-1, e i njëjti lojtar shënoi përsëri për 2-2 në minutën e 90+1’. Për fatin e keq të Suharekës, nuk kishte kohë për ndonjë rikthim senzacional dhe gjetje të golit të tretë, që do ta çonte ndeshjen në vazhdime.
Kështu, pas 90 minutave lojë ndeshja u mbyll me rezultatin përfundimtar 2-2, rezultat i mjaftueshëm që Ballkani të shkojë në finale, kjo falë fitores në duelin e parë.
Në finalen e Kupës Ballkani e pret fituesin nga dueli Drita - Prishtina, duel i cili nuk ka përfunduar ende.