Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BALLKANI - DRITA

Dramë në Suharekë, Gripshi shpëton kampionin nga humbja!

Foto: FCDrita/ fb

Dramë në Suharekë, Gripshi shpëton kampionin nga humbja!


20 April, 2024 @17:02

Një ndeshje fenomenale u zhvillua sot mes Ballkanit dhe Dritës në Suharekë, ashtu edhe siç do të duhej të ishte mes skuadrave më të mira të futbollit në Kosovë.

Në fund, skuadrat u detyruan të pajtohen me nga një pikë, me duelin që në fund u mbyll me rezultat 2-2 (Gentrit Halili 54’, Nazmi Gripshi 90+7’ / Blerim Krasniqi 50’, Ensar Huruglica 89’).

Pjesa e parë e ndeshjes ishte mjaft atraktive dhe dhuroi plot raste për shënim, ndonëse u mbyll 0-0.

Dritës iu anulua një gol për shkak të lojës me dorë nga Blerim Krasniqi në minutën e 7’ e më vonë (25’) kolumbiani Mesa qëlloi shtyllën pas një rrëmuje në zonën e Ballkanit. Në anën tjetër, rast të mirë për Ballkanin pati Almir Kryeziu, goditjen e të cilit prej një këndi të vështirë e priti Faton Maloku i Dritës, ndërkohë edhe Walid Hamidi pati një mundësi të mirë kur rrezikoi me kokë (13’).

TABELA AKTUALE

Pjesa e dytë filloi për mrekulli për Dritën. Një krosim zhagazi pas një depërtimi nga krahu i djathtë prej Albert Dabiqajt e gjeti Blerim Krasniqin në zonë, i cili shënoi për 0-1 (50’).

Megjithatë, epërsia gjilanase nuk zgjati shumë. Katër minuta pas golit të pësuar, Gentrit Halili me një shkëputje fantastike me kokë shënoi për 1-1. Asistues te ky gol ishte Armend Thaqi, i cili krosoi nga goditja këndore.

Më pas, në pjesën e mbetur të ndeshjes raste për shënim patën të dyja skuadrat, por drama duket se ishte ruajtur për 10 minutat e fundit të ndeshjes.

Fillimisht, kryetitullin e lajmit u mendua se e vodhi zëvendësuesi Ensar Huruglica, i cili u inkuadrua nga banka rezervë dhe me një supergol me të djathtën në minutën e 89’ ia dha epërsinë 1-2 Dritës. Megjithatë, për fatin e keq të gjilanasve, skuadrën vendase nga humbja e shpëtoi Nazmi Gripshi, i cili shënoi për 1-2 në minutën e shtatë të kohës shtesë dhe kështu ndeshja u mbyll me barazim 2-2. Goli i shënuar nga Gripshi mund të jetë vendimtar në luftën për titullin kampion, luftë kjo që për momentin është tejet e ngushtë dhe po zhvillohet mes 3 skuadrave.

Duhet përmendur që Drita ndeshjen e mbylli me 10 lojtarë në fushë, pasi që Besnik Krasniqi u ndëshkua me dy të verdhë brenda pak minutave krejt në fund të takimit, përjashtim i cili ndodhi pak para se Drita ta pësonte golin e barazimit.

Nëse Llapi shënon fitore nesër ndaj Fushë Kosovës, do t’i afrohet kreut në 2 pikë.


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga