LIRIA - DUKAGJINI

Pa gola ndaj Dukagjinit, Liria siguron matematikisht rënien!
20 April, 2024 @17:08
Tashmë edhe matematikisht, Liria e Prizrenit e ka siguruar rënien në Ligën e Parë.
Skuadra prizrenase 6 xhiro para fundit nuk ka më gjasa për shpëtim dhe rrjedhimisht është bërë skuadra e parë që e siguron edhe matematikisht rënien nga elita e futbollit kosovar.
Në ndeshjen e sotme ndaj Dukagjinit, Liria luajti pa gola, 0-0 pas 90 minutave lojë në Prizren.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, ndërkohë që nuk munguan rastet për shënim e kartonët e verdhë, të cilët gjyqtari i ndeshjes i jepte me lehtësi, sidomos gjatë fundit të pjesës së parë.
Përveç rasteve të shfaqura për shënim, në pjesën e dytë, Dukagjini pati një penallti të anuluar nga VAR-i rreth minutës së 60’, e më vonë Liria pati një gol të anuluar për shkak të pozitës jashtë loje (80’).
Rezultati i arritur sot bën që Dukagjini të jetë kryesisht i qetë në vendin e gjashtë, kurse për Lirinë tashmë nuk ka çfarë të shtohet më tepër.