GJILANI - FERONIKELI 74

Foto: SC Gjilani
Barazim në Gjilan, pikët ndahen
20 April, 2024 @17:15
Me barazim 1-1 (Senad Jarovic 3’ / Bachare Razack 36’) u mbyll ndeshja e sotme mes Gjilanit dhe Feronikelit 74, dy prej skuadrave që po luftojnë për mbetje në Superligë.
Senad Jarovic në minutën e tretë hapi serinë e golave për t’i dhënë nismë të mbarë gjilanasave, mirëpo skuadrat në pushim me rezultat të barabartë 1-1 i çoi goli i Bachare Razack, i cili u asistua nga kapiteni Alban Shabani (36’).
Golshënuesi i Niklit, Bachare Razack, u përjashtua nga loja rreth minutës së 73’ pasi u ndëshkua dy herë me të verdhë, duke e lënë kështu skuadrën e tij me inferioritet numerik për afro 20 minutat e fundit të ndeshjes. Por, për fatin e mirë të Niklit, Gjilani nuk e gjeti dot golin e fitores përkundër trysnisë dhe kështu pikët u ndanë.
Rezultati i sotëm e mban Gjilanin 3 pikë mbi Feronikelin 74, me të dyja skuadrat që mbesin në luftë për mbijetesë.