PRISHTINA - BESA
Prishtina merr kreun me fitore 5 golëshe
10 March, 2021 @15:42
Skuadra e Prishtinës ka vazhduar me formën e mirë edhe në ndeshjen e sotme ndaj skuadrës së fundit në tabelë, Besës.
Ekipi i trajnerit Zekirija Ramadani shënoi fitore të thellë me rezultat 5-1, për t’u ngjitur në krye të tabelës me një ndeshje më shumë se rivalët Drita e Ballkani.
Seria e golave u hap në minutën 14’ me golin e Leonit Abazit, i cili shfrytëzoi në mënyrën më të mirë asistin e Endrit Krasniqit. Ky i fundit shënoi vetëm shtatë minuta më vonë, derisa Leotrim Kryeziu me golin e tij në minutën 29’ e përcaktoi rezultatin e pjesës së parë, 3-0.
Pjesën e dytë mysafirët pejanë e nisën shpejt me golin e Donart Sheqerollit (48’), por më pas bardhekaltërit vazhduan bombardimet duke shënuar edhe dy herë nëpërmjet Gauthier Mankendës (69’) dhe Albin Prapashticës (83’) për rezultatin përfundimtar 5-1.
Vlen të ceket se ndeshja u zhvillua në kushte të vështira atmosferike për shkak të reshjeve të dëborës, me c’rast fillimi i saj u vonua për rreth gjysmë ore.
Prishtina aktualisht kryeson në tabelë me 50 pikë, aq sa ka edhe Drita me një ndeshje më pak, derisa Besa mbetet në fundin e tabelës me vetëm 7 pikë.