AMERIKANI I RADHËS TE PRISHTINA
Prishtina përforcohet me Ahmed Bashirin
4 January, 2019 @16:52
Basketbollisti amerikan, Muhamad Ahmed Bashir, është lojtar i ri i Prishtinës.
Sot, Prishtina njoftoi për përforcimin e ri të skuadrës, që luan në pozitën e alos, ndërsa 25 vjeçari është 201 centimetra i gjatë dhe peshon 95 kilogramë.
Ahmed Bashir ka qenë pjesë e ekipit të NCAA1 St John’s, ndërsa së fundi ka luajtur edhe në Argjentinë për Olimpico LB ku ka pasur mesatare prej 13 minutash për ndeshje dhe 5.5 pikë për lojë, 0.5 asistime dhe 1.8 kërcime.
Ndërkaq në St John’s ai ka qenë ndër lojtarët kryesorë të skuadrës ku në stinorin 2017/18 ka luajtur 33 ndeshje me 30.2 minuta mesatarisht për lojë, derisa mesatarja e pikëve të tij ka shkuar në 11.3, e asistimeve 0.9 e e kërcimeve 4.7 për ndeshje.
Prishtina është lidere e pakontestueshme në Superligë këtë stinor, ku nuk di për humbje.
Bardhekaltërit gjithashtu janë duke e përjetuar stinorin historik në FIBA Europe Cup, ku kanë kaluar në raundin e dytë të fazës grupore të kësaj gare dhe kanë bilanc aktual 1-1, derisa kanë edhe 4 ndeshje tjera për t’i zhvilluar.
Në ndërkohë, ekipi është tërhequr nga garat e BIBL, njoftim të cilin e botoi dje faqja zyrtare e kësaj gare.