FINAL 8: PRISHTINA - KALAJA
Prishtina shemb Kalanë në çerekun e tretë
1 March, 2018 @19:17
Pas një pjese të parë befasisht të barabartë ndërmjet kampionit të shumëfishtë të Kosovës, Sigal Prishtina dhe ekipit të Ligës së Parë, Kalaja, në çerekun e tretë bardhekaltërit kampionë kanë treguar dhëmbët për të shkuar në gjysmëfinale.
Çereku i tretë ka përfunduar 25-6 në të mirë të Prishtinës, ndërsa sa i përket pjesës së parë, ekipet kanë pasur vetëm tre pikë dallim, për të cilën ia vlen të theksohet vetëmohimi i ekipit të ri nga Prizreni. Pjesa e parë përfundoi besoni apo jo, me rezultat 44-41.
Edo Azemi ka qenë më efikasi te Prishtina me 21 pikë të shënuara, ndërsa pas tij pikë të konsiderueshme kanë shënuar Muhamedali Janjeva 16, Rinor Peci 15 dhe Valon Bunjaku 14.
Trajneri Andin Rashica i dha mundësi të gjithë lojtarëve që të paraqiten në lojë, derisa Fisnik Rugova u përdor vetëm 5 minuta e Graniti nuk u angazhua fare, për shkak të nevojës për pushim nga lëndimi.
Te Kalaja, përforcimi Xavier Newson ka qenë më efikasi me 20 pikë të shënuara, ndërsa pas tij janë dalluar Ujkan Karanezi me 16 dhe Qëndrim Ajazaj me 12 sosh.
Edhe trajneri i Kalasë, Arbnor Rifati u ka dhënë mundësi shumicës së lojtarëve të paraqiten ndaj kampionit, derisa treshja e përmendur dhe kapiteni Somel Shaqiri kanë qenë më të angazhuarit në takim.