TALENTI: ARBËR BYTYQI
Prizrenasi i pazëvendësueshëm te Shqipëria U19
17 November, 2021 @20:48
Futbollisti i ri prizrenas ka qenë pjesë e pandashme e ekipit startues të Armando Cungut te Shqipëria U19.
Kuqezinjtë e rinj që luajtën kualifikueset në Shqipëri dhe vetëm për shkak të gol-dallimit nuk arritën të shkojnë tutje, kanë pasur një paraqitje tejet të mirë pas humbjes në ndeshjen e parë nga Franca U19.
E Arbër Bytyqi, 18-vjeç, ish-lojtar i Lirisë tash pjesë e Laçit në Superiore ka filluar të gjitha këto ndeshje kualifikuese nën urdhërat e Cungut dhe ka qenë në fushë përgjatë 90-minutave të secilës ndeshje, duke luajtur në total 270 minuta për kuqezinjtë.
Ai shihet si shpresë e madhe e të rinjve të Shqipërisë, ndërsa edhe Shpëtim Duro kur i dha rastin për debutim atij te laçjanët e ka vlerësuar mjaft.
Tash Bytyqi mëton që të stabilizohet në ekipin e parë të Laçit për të vazhduar tutje ngritjen e tij si lojtar. Ai është lojtar që i kryen punë trajnerëve, duke qenë se luan si krah i majtë i mbrojtjes si dhe në defanzivë të mesfushës.
Arbëri përndryshe është vëlla i lojtarit tashmë me shumë përvojë të Lirisë, krahut të djathtë të saj, Valon Bytyqi.
Vetëm në këtë stinor, Laçi që është i katërti në renditje të Superiores dhe drejtohet nga Mirel Josa, Arbëri ka pasur katër paraqitje te ekipi.
Ai ka qenë lojtar i Kosovës U17 derisa ka qenë pjesë e Lirisë, ndërsa tash prej se është bërë pjesë e Laçit, ka luajtur rregullisht për Shqipërinë U17 dhe tashmë standard edhe te Shqipëria U19.
Sa i përket rezultateve në kualifikuese dhe renditjes, Shqipëria U19 përfundoi e treta aty, me një fitore, një barazim dhe një humbje - duke u eliminuar nga garat e mëtutjeshme për gol-dallim.
REZULTATET:
Franca U19 - Shqipëria U19 4-0
Serbia U19 - Shqipëria U19 2-2
Shqipëria U19 - Maqedonia U19 3-1
TABELA PËRFUNDIMTARE:
1. Franca U19, 9 pikë;
2. Serbia U19, 4 pikë; (gol-d. 0)
3. Shqipëria U19, 4 pikë; (gol-d. -2)
4. Maqedonia U19, 0 pikë.