GAME 3: RAHOVECI - PRIZRENI
Rahoveci bindshëm, arrin gj’finalen e dytë me radhë
21 April, 2019 @18:34
Rahoveci është gjysmëfinalisti i fundit i Superligës. Ekipi i drejtuar nga Bujar Loci ka arritur të shënojë edhe fitoren e dytë radhazi ndaj Prizrenit në kuadër të serisë çerekfinale të PlayOffit të Superligës, për të siguruar vendin në katërshen më të mirë të elitës së basketbollit, për të dytën herë radhazi.
Rahoveci që kishte humbur ndeshjen e parë në Mizahir Isma, arriti të mposht Prizrenin në Sezai Surroi për tu kthyer në ndeshjen vendimtare në Rahovec dhe për të fituar bindshëm ndaj Prizrenit 84-65 për përfundimtaren 2-1 të serisë.
Fred Richardson me 29 pikë e 11 kërcime ka qenë më efikasi në ekip, ndërsa Deshon Minnisit i kanë munguar tre pikë për të kryer ndeshjen me triple-double (7 pikë, 11 kërcime dhe 13 asistime).
Arian Qallaku kreu ndeshjen me 19 pikë sonte, ndërsa Andre Washington ka qenë lojtari tjetër që ka shënuar pikë dyshifrore në lojë, duke shënuar 14 sosh.
Te Prizreni, që nuk arriti të tregojë lojën si në ndeshjen e parë të serisë, më efikasi ka qenë Malcolm Canada me 16 pikë, 10 kërcime e 5 asistime, derisa nga 13 pikë kanë shënuar Eliott Cole dhe Blendi Matoshi. Qendrat e ekipit bardhezi janë ndalur në 9 pikë bashkë sonte, ku Urim Zenelaj ka shënuar 6, ndërsa Ergin Grosha 3.
Me këtë humbje ky sezon përfundon për Prizrenin, që mund të quhet i suksesshëm duke ditur që është debutues në Superligë, derisa ekipi sezonin e përfundoi me ritëm jo të mirë duke regjistruar 7 humbje në 8 ndeshjet e fundit.
Ndërsa Rahoveci tash do të kërkojë të arrijë finalen ndaj rivalit të ashpër. Ylli do të ketë epërsinë e terrenit vendas në ndeshjet që pritet të kenë rivalitet të jashtëzakonshëm në serinë prej maksimalisht 5 ndeshjeve, ku skuadra me tre fitore arrin finalen.