TREPÇA 2-4 RAHOVECI

Foto: KFRahoveci/fb
Rahoveci lider, pas fitores ndaj Trepçës
9 September, 2022 @19:22
Rahoveci ka shënuar fitoren e tretë të stinorit dhe pas humbjes së Phoenixit sot, tashmë është ulur në vendin e liderit të Ligës së Parë Grupi A.
Vreshtarët falë sulmuesit të tyre Jalen Miler Blesa, që ka shënuar pesë gola në katër xhirot e para të stinorit, ka nisur mirë dhe në fund edhe ka fituar ndeshjen ndaj mitrovicasve sot, ku Rahoveci ishte mysafir, për përfundimtaren: Trepça 2-4 Rahoveci [Mohammed Zuhari 85, 90+2 - Miler Blesa 40, 50, Liman Morina 80, Caner Gzimi 90].
Futbollistët e Senad Alirifës kanë dominuar në ndeshje, ndërsa pas asistimit të Edon Zeqirit Miler ka shënuar golin e parë për epërsinë e skuadrës së tij.
Me të nisur pjesa e dytë Miler mori ndihmën e Getuar Lecit për 0-2, ndërsa Caner Gzimi asistoi për 0-3, kur Liman Morina shënoi në minutën e 80 të ndeshjes.
Deri në fund, Rahoveci disi u relaksua, ndërsa mitrovicasit morrën iniciativën dhe Mohammed Zuhari uli epërsinë në 1-3 (85), kurse pas golit të katërt të vreshtarëve, kur Caner Gzimi shënoi me asist të Kacolit, Zuhari vendosi përfundimtaren në kohën shtesë, 2-4.
Derisa Rahoveci tash ka 10 pikë dhe është ekipi i vetëm pa humbje në Grupin A të Ligës së Parë, Trepça në anën tjetër ka pësuar për herë të dytë këtë stinor dhe është në pjesën e poshtme të tabelës me 4 pikë!