GRUPI B: UELLSI - ANGLIA
Rashford shkëlqen, Anglia në të tetën e finales ndaj Senegalit
29 November, 2022 @22:05
Marcus Rashford ka shkëlqyer në pjesën e dytë të ndeshjes, derisa Anglia ka arritur të mposht Uellsin, për të fituar Grupin B të Botërorit në Katar dhe kështu të sigurojë të tetën e finales ndaj Senegalit.
Pjesa e parë ishte e qetë sa i përket golave, ndërsa Anglia kishte raste të mira, por pa sukses. E në pjesë të dytë Rashford shënoi bukur nga gjuajtja e lirë për t’i dhënë krahë ekipit të Gareth Southgatë, që shpejt e bëri 0-2 me Phil Fodenin (goli i parë i tij në një Botëror), ndërsa më pas Rashford vendosi edhe epilogun e takimit, për përfundimtaren Uellsi 0-3 Anglia [Marcus Rashford 50, 68, Phil Foden 51].
Uellsi dukej i pafuqishëm dhe nuk mund të organizohej për të bërë më tepër. Gareth Bale u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë, ndërsa rast bëri Kiefer Moore, por jo sa për ta mposhtur Jordan Pickfordin e koncentruar.
Anglia fiton Grupin B të “Katari 2022” me 7 pikë, dhe me goldallim +7. Ndërsa Uellsi përshëndetet si i fundit në grup.