DE BIASI
Rezultat pozitiv ndaj Francës
8 June, 2015 @15:00
Miqësorja që Shqipëria e zhvillon ndaj Francës më 13 qershor, të shtunën, pritet të jetë miqësorja e fundit e kuqezinjëve para ndeshjeve të muajit shtator kualifikuese për EURO 2016.
Prandaj, Gianni De Biasi, përzgjedhës i Shqipërisë, ka thënë se dëshiron qasje serioze në këtë ndeshje, pa marrë parasysh që është miqësore. Për më tepër, ai kërkon edhe rezultat.
Futbollistët e ftuar për miqësore ndaj Francës.
“Rezultati është i rëndësishëm. Ai vlen gjithmonë dhe në çdo aspekt. Nuk do të toleroj asgjë, edhepse është miqësore. Tashmë do të jetë edhe më vështirë sesa në ndeshjen e parë,” ka thënë ndër të tjera De Biasi në konferencën e sotme për shtyp, kur prezentoi listën e të ftuarve.
Shqipëria kishte barazuar me Francën 1-1 në miqësoren e zhvilluar në Rennes gjatë muajit nëntor.
Ai ka folur edhe për lojtarët e rinj të ftuar për herë të parë, por edhe për të rikthyerit në ekipin kuq e zi.
“Afrim Taku dhe Arbnor Fejzullahu janë emra të rinj te tabori kuqezi. I kam ndjekur dhe më kanë pëlqyer. Ndërsa Renato Arapi dhe Sabien Lilaj kanë dëshmuar se e meritojnë rikthimin,” ka shtuar De Biasi.
Shqipëria është në vend të tretë në Grupin I kualifikues për EURO 2016. Ndeshjet e radhës kualifikuese i zhvillon më 4 dhe 7 shtator, ndaj Danimarkës dhe Portugalisë.